Alexis Mac Allister, mesfushori i Argjentinës, ka shprehur admirimin e tij të thellë për kapitenin Lionel Messi, duke theksuar se magjia e tij në fushë është e pakopjueshme dhe e papërsëritshme.

Komentet e tij erdhën pas fitores bindëse 3-0 të Argjentinës ndaj Algjerisë në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës. Në këtë takim, Messi shënoi një tripletë golash dhe Mac Allister u pyet pikërisht për ndikimin e yllit të Inter Miamit te skuadra kampione e botës.

Mesfushori i Liverpoolit theksoi: “Më pëlqen shumë të luaj pranë Leos. Nuk do të ketë më një tjetër si ai. Kur e sheh nga afër, kupton se gjërat që bën nuk janë normale. Është shumë e vështirë të mësosh nga ajo që ai bën, sepse mund ta imagjinosh në kokë, por nuk mund ta realizosh në të njëjtën mënyrë.”

Megjithatë, Mac Allister shtoi se mësimi më i madh që mund të merret nga Messi nuk lidhet me aftësitë e tij futbollistike, por me karakterin. “Ajo që mësoj prej tij janë vlerat dhe përulësia që ka, pavarësisht se kush është dhe çfarë ka arritur,” tha ai.

Mac Allister pati një rol kyç edhe në golat e shënuar nga Argjentina kundër Algjerisë. Ai shpjegoi se në rastin e golit të parë, e la topin të kalonte me vetëdije, pasi e dinte se pas tij ndodhej Messi, i gatshëm për të shënuar.

Kjo mbrëmje rezultoi historike për tetë herë fituesin e Topit të Artë. Përveç tre golave të shënuar, Messi barazoi rekordin e Miroslav Klose për numrin më të madh të fitoreve në historinë e Kupës së Botës, duke arritur në 17 triumfe. Gjithashtu, ky është Botërori i tij i gjashtë, një tjetër rekord.

Ndërkohë, vëmendja e Argjentinës tashmë është kthyer drejt përballjes së radhës kundër Austrisë. Mac Allister paralajmëroi se kampionët e botës nuk duhet të nënvlerësojnë asnjë kundërshtar. “Ne jemi një grup që gjithmonë kërkon më shumë. Qëllimi ynë është vetëm të fitojmë. E dimë atmosferën entuziaste që krijon një Kupë Bote dhe duam të japim më të mirën në çdo ndeshje,” përfundoi mesfushori.