Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Beograd (YIHR) ka dokumentuar se gjatë vitit të kaluar, Serbia ka mohuar mbi 110 herë krimet e luftës të kryera gjatë viteve ’90, përfshirë masakrën e Reçakut, gjenocidin e Srebrenicës dhe rrethimin e Sarajevës.

Raporti i ri, i titulluar “Gjendja e mohimit”, detajon të paktën 60 raste të glorifikimit të dhjetë personave të dënuar për krime lufte, si dhe rreth 50 raste të formave të ndryshme të mohimit të këtyre krimeve.

Ndër krimet e mohuara nga autoritetet serbe përmenden ato në Reçak të Kosovës, rrethimi i Sarajevës, ekzistenca e kampeve në Prijedor, si dhe varrezat masive në Batajnicë pranë Beogradit, ku u zbuluan trupa viktimash nga Kosova.

Gjenocidi i Srebrenicës, sipas YIHR, mbetet krimi më i mohuar, me të paktën 30 raste të dokumentuara vetëm gjatë vitit të kaluar.

Raporti i katërt vjetor i YIHR thekson se praktikat e mohimit dhe glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, si Ratko Mlladiq, nuk janë të kufizuara vetëm tek përfaqësuesit e pushtetit. Ato janë të përhapura gjithashtu në media, parti politike, qarqe fetare dhe një pjesë të komunitetit akademik.

Ndër ngjarjet e vitit të kaluar të cilat autorët e raportit i konsiderojnë shqetësuese, është varrimi i gjeneralit të pensionuar të ish-Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, në Rrugicën e Qytetarëve të Merituar në Beograd. Pavkoviq, i cili u varros me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, vlerësohet nga YIHR si një precedent i rrezikshëm.

Raporti gjithashtu evidenton raste të pengimit të bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare të drejtësisë, kundërshtimin e vendimeve të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe emërimin e disa zyrtarëve publikë, të cilat, sipas organizatës, dëshmojnë për një bllokadë institucionale në përballjen e Serbisë me të kaluarën e saj të luftës.

Drejtoresha e YIHR, Sofija Todoroviq, ka theksuar se mohimi dhe relativizimi i krimeve të luftës janë shndërruar në një nga shtyllat kryesore të politikës në Serbi. Sipas Todoroviq, kjo qasje përdoret si mjet për nxitjen e urrejtjes dhe si instrument nacionalist për shpërqendrimin e opinionit publik, duke thelluar ndarjet shoqërore. Ajo shtoi se viti i kaluar dëshmoi qartë se qëllimi kryesor i mohimit dhe keqpërdorimit të së kaluarës së luftës është dobësimi i kapaciteteve demokratike të shoqërisë serbe.