**Ronaldo përgjigjet për një përballje të mundshme me Messin në Kupën e Botës**

Cristiano Ronaldo ka shprehur hapur dëshirën për t’u përballur me Lionel Messin në Kupën e Botës. Pas fitores së Portugalisë, ku ai shënoi dy gola, ylli portugez u pyet rreth mundësisë së një dueli kundër Argjentinës dhe rivalit të tij të përjetshëm.

Megjithëse fillimisht e konsideroi pyetjen si jo shumë të rëndësishme për momentin, Ronaldo pranoi se një ndeshje e tillë do të ishte diçka krejtësisht e veçantë.

Duke iu përgjigjur pyetjes për një duel të mundshëm me Messin në Botëror, Ronaldo u shpreh: “Kjo pyetje nuk ka shumë kuptim për momentin… por, do t’i përgjigjem. Do të ishte diçka madhështore!”

Megjithatë, pesë herë fituesi i Topit të Artë theksoi se fokusi i tij kryesor ishte te ndeshja që sapo kishte përfunduar dhe te ecuria e Portugalisë në vazhdim të turneut.

“Fokusi im i plotë ishte sot. Ne fituam, kam shënuar dhe vazhdojmë përpara si skuadër. Jam i lumtur për këtë”, theksoi ai.

Një përballje mes Portugalisë së Ronaldos dhe Argjentinës së Messit do të ishte padyshim një nga ndeshjet më të shumëpritura të Kupës së Botës, duke ringjallur rivalitetin historik mes dy prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.