Kadetët e FSK-së përfundojnë me sukses stërvitjen “Qielli i Shqiponjave 2026”
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), përmes Qendrës së saj për Studime Universitare (QSU), ka përmbyllur me sukses vlerësimin praktik për vitin akademik 2025/2026, të koduar “Qielli i Shqiponjave 2026”.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë një angazhimi intensiv nëntëditor në rajonin e Gjakovës, kadetët kryen operacione luftarake në nivel togu dhe kompanie, duke zbatuar në praktikë njohuritë teorike dhe praktike të përvetësuara gjatë vitit akademik.
Vlerësimi praktik përfshiu planifikimin dhe ekzekutimin e operacioneve luftarake, zbatimin e procedurave të betejës, koordinimin ndërmjet njësive, si dhe vendimmarrjen në kushte dinamike.
Ky aktivitet, sipas FSK-së, shërbeu për forcimin e aftësive udhëheqëse, disiplinës dhe shpirtit kolektiv të kadetëve, duke dëshmuar përgatitjen e tyre të lartë për sfidat operative dhe profesionale të së ardhmes.
