Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të shpallë sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo do të bëhet gjatë mbledhjes së radhës që do të mbajë ky organ sot.

Sipas njoftimit të zëdhënësit të KQZ-së, pika kryesore e rendit të ditës është shpallja e rezultateve finale të këtyre zgjedhjeve, të mbajtura më 7 qershor. Publikimi zyrtar i këtyre rezultateve pritet të bëhet menjëherë pas përfundimit të mbledhjes.

Deri tani, sipas të dhënave të përpunuara në platformën e KQZ-së, lëvizja Vetëvendosje (LVV) prin me 47.13% të votave. Ajo pasohet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19.44%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 16.69% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 6.74%.