Gjermania u përgatit për një fundjavë me mot përvëlues, ndërsa një valë e të nxehtit, që tashmë ka shkaktuar dhjetëra viktima në Evropën Perëndimore, pritet të zhvendoset drejt lindjes, duke thyer rekorde temperaturash mbi 40 gradë Celsius.

Britania e Madhe, Franca, Zvicra dhe Gjermania kanë regjistruar temperatura rekord gjatë qershorit. Ky sistem i motit pritet të shkaktojë rekorde të tjera ndërsa vazhdon rrugën nga Gjermania drejt Polonisë.

Të premten, afër qytetit Zarbryken, pranë kufirit me Francën, u shënua një rekord i ri kombëtar prej 41.3 gradë Celsius. Një zëdhënës i Shërbimit Kombëtar Meteorologjik të Gjermanisë theksoi se matja ishte paraprake.

Shërbimi meteorologjik lëshoi paralajmërime për nxehtësi ekstreme pothuajse në të gjithë Gjermaninë të shtunën, ndërsa autoritetet u bënë thirrje qytetarëve për kursim të ujit.

Në Francë, vala e të nxehtit ka shkaktuar humbjen e jetës së dhjetëra personave, të rinj dhe të moshuar.

Temperaturat mbi 40 gradë Celsius kanë sjellë ndërprerje në transportin hekurudhor dhe prodhimin e energjisë elektrike. Ato kanë çuar gjithashtu në ndalimin e konsumit të alkoolit në disa zona, pezullimin e mësimit në shkolla dhe shtyrjen e aktiviteteve në natyrë.

Meteorologu Karsten Brandt, nga faqja Donnerwetter.de, deklaroi se “vala e të nxehtit do të arrijë kulmin gjatë fundjavës, me temperatura shumë mbi 40 gradë në disa pjesë të Gjermanisë”.

Organizatorët e Kampionatit Evropian Ironman në Frankfurt njoftuan se garat e çiklizmit dhe vrapimit, planifikuar për të dielën, do të shkurtohen për shkak të temperaturave të larta.

Përballë rrezikut të dëmtimeve në infrastrukturë, si deformimi i rrugëve dhe zgjerimi i shinave të trenit, disa ofrues të shërbimeve publike kanë marrë masa për të kufizuar trafikun.

Andre Berghegger, drejtori ekzekutiv i Shoqatës Gjermane të Qyteteve dhe Komunave, u bëri thirrje qytetarëve të përdorin ujin me kursim, për shkak të valës së të nxehtit.

“Duhet të mbështetemi sa më gjatë të jetë e mundur te bashkëpunimi vullnetar; autoritetet lokale duhet të vendosin ndalime vetëm nëse kjo nuk funksionon”, – tha ai për gazetën Neue Osnabrücker Zeitung.

Parashikohet që temperaturat ekstreme të fillojnë të bien gjatë fundjavës, ndërsa për të dielën priten stuhi të forta.

Në mbarë Evropën, monumente kulturore janë detyruar të mbyllen, bujqësia ka pësuar dëme dhe disa spitale kanë hasur në vështirësi për të përballuar fluksin e pacientëve.

Sipas Reuters Climate Monitor, vala e të nxehtit ka rritur temperaturat deri në 18 gradë mbi mesataren sezonale dhe po nxitet nga një fenomen atmosferik i njohur si “blloku Omega”.

Ky model atmosferik bllokon një masë të madhe ajri të nxehtë mbi një rajon për periudha të gjata, ndërsa ajri më i freskët mbetet në skajet e tij.

Kërkesa për pajisje ftohëse (kondicionerë) është rritur ndjeshëm, ndërsa prodhuesit aziatikë të ajrit të kondicionuar kanë raportuar një rritje të madhe të shitjeve në Evropë.

Shumica e banesave në Evropën Veriore janë ndërtuar për të ruajtur nxehtësinë gjatë dimrit, dhe jo për të mbajtur ambientet të freskëta gjatë verës.

Organizata Botërore e Meteorologjisë njoftoi se kjo valë e të nxehtit do të fillojë të zhvendoset në fund të muajit, duke prekur Evropën Qendrore dhe Ballkanin.

Shkencëtarët theksojnë se kjo valë e të nxehtit do të ishte praktikisht e pamundur pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor. /REL/