Në kuadër të operacionit policor të koduar “Territor i Pastër”, Policia ka asgjësuar gjithsej 2098 bimë dhe fidanë kanabisi në qarkun e Shkodrës. Gjatë këtij operacioni, dy persona janë arrestuar dhe një kryeplak është proceduar penalisht.
Gjatë kontrolleve në njësinë administrative Shosh, në fshatin Ndrejaj, shërbimet e Policisë zbuluan 768 bimë të dyshuara kanabisi sativa. Në parcelë u kap në flagrancë dhe u arrestua P.M., 53 vjeç, banues në Ndrejaj. Gjatë kontrollit pranë banesës së tij u gjetën dhe u sekuestruan edhe 80 kubikë me fidanë kanabisi.
Ndërkohë, në fshatin Vukël, në njësinë administrative Kelmend, u zbuluan 1250 bimë të dyshuara kanabisi sativa. Pranë parcelës u arrestua në flagrancë A.Ç., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjithashtu, Policia nisi procedim penal në gjendje të lirë ndaj K.B., 65 vjeç, kryeplak i fshatit Vukël.
Të gjitha bimët dhe fidanët e kanabisit u asgjësuan në vend, duke u djegur. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
Policia ka bërë të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
