Manchester Unitedi mund të ketë të drejtë të përfitojë miliona në formë kompensimi nëse Manuel Ugarte mbetet jashtë fushave për një periudhë të gjatë.
Mesfushori 25-vjeçar u largua me barelë gjatë ndeshjes së së premtes në mbrëmje mes Uruguait dhe Spanjës në Kupën e Botës, pasi pësoi një përdredhje në gju pas një përplasjeje aksidentale me bashkëlojtarin Mathias Olivera.
Ugarte, i cili është lidhur me një largim nga Manchester Unitedi këtë verë, dukej se i ngecën takat në barin e stadiumit në Guadalajara, përpara se Olivera të binte mbi këmbën e tij të shtrirë.
Manchester Unitedi tani është në pritje të rezultateve për të mësuar shkallën e dëmtimit.
Nëse mesfushori konfirmohet se do të mungojë për një periudhë të gjatë, klubi anglez pritet të ketë të drejtë të kërkojë kompensim nga FIFA përmes Programit të Mbrojtjes së Klubeve (Club Protection Programme – CPP).
Ky program u ofron klubeve siguri financiare kur lojtarët e tyre grumbullohen me ekipet kombëtare. Nëse një futbollist dëmtohet gjatë ndeshjeve me përfaqësuesen dhe nuk mund të rikthehet te klubi, programi mbulon një pjesë të kostove financiare.
Që nga viti 2012, CPP mbulon pagën e lojtarëve të dëmtuar gjatë detyrës me kombëtaren, megjithëse ekzistojnë disa kushte.
Lojtari duhet të mungojë të paktën 28 ditë radhazi dhe dëmtimi duhet të jetë shkaktuar gjatë një “aksidenti”, siç e përcakton programi.
Për më tepër, skema mbulon pagën e futbollistit të dëmtuar deri në shumën maksimale prej 6.6 milionë funtesh, derisa ai të shpallet i gatshëm për t’u rikthyer te klubi.
Sipas “Capology”, Ugarte fiton rreth 150 mijë funte në javë te Manchester Unitedi.
Newcastle kishte përfituar nga ky program pasi Yoane Wissa pësoi një dëmtim të rëndë të ligamenteve të gjurit gjatë grumbullimit me RD Kongon në shtator të vitit të kaluar.
Sipas “Daily Mail”, drejtuesit e klubit aplikuan që paga e tij prej rreth 140 mijë funtesh në javë të mbulohej nga programi. Në total, Wissa mungoi për më shumë se tre muaj.
Ugarte ka luajtur shumë pak që kur Michael Carrick mori drejtimin e përkohshëm të Manchester United në janar. Ai ka qenë titullar vetëm një herë në Premierligë, në humbjen 2-1 në shtëpi ndaj Leeds, e cila mbetet edhe humbja e vetme e United në “Old Trafford” nën drejtimin e Carrick.
Më herët gjatë këtij muaji, sipas gazetarit Nicolò Schira, Milanit iu ofrua mundësia për të transferuar Ugarte.
Trajneri i ri i Milanit, Ruben Amorim, e njeh shumë mirë uruguaianin, pasi kanë bashkëpunuar te Sporting dhe më pas te Manchester United.
Edhe Galatasaray është përmendur si një destinacion i mundshëm për mesfushorin, por ky dëmtim i fundit mund t’i zbehë ndjeshëm shanset që ai të realizojë një transferim gjatë kësaj vere./GazetaExpress/
