**Gratë në Biznes: Përtej Paragjykimeve dhe Sfidave**

Gratë sipërmarrëse në Kosovë, pavarësisht rritjes së numrit të tyre vitet e fundit, vazhdojnë të përballen me sfida të theksuara në fushën e biznesit. Për t’i mbështetur ato, ndërmerren vazhdimisht iniciativa nga institucione shtetërore dhe organizata vendore e ndërkombëtare, me qëllim inkurajimin e tyre në nisjen dhe zhvillimin e bizneseve.

Megjithatë, pavarësisht mbështetjes, një pabarazi e madhe mbetet mes numrit të bizneseve të drejtuara nga burrat dhe atyre të udhëhequra nga gratë në Kosovë. Kjo dëshmohet nga statistikat zyrtare. Sipas platformës elektronike “Bizneset e Hapura”, vetëm 11 për qind e bizneseve aktive në Kosovë, ose 23.416 subjekte, drejtohen nga gratë.

Në këtë platformë, vihet re se veprimtaritë kryesore biznesore të udhëhequra nga gratë janë sallonet e floktarisë dhe trajtimet e tjera të bukurisë, me mbi 3.000 biznese. Më pas renditet tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara, kryesisht ushqimore, si dhe tregtia me pakicë e veshjeve.

Në kontrast me këto fusha tradicionale, disa gra në Kosovë kanë nisur biznese edhe në sektorin e teknologjisë informative. Një nga sipërmarrëset e para në këtë fushë është Zana Tabaku, themeluese e një kompanie që punëson 20 persona.

Zana, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se në fillimet e biznesit të saj në vitin 2009, ka pasur paragjykime rreth aftësisë së një gruaje për të udhëhequr një ndërmarrje të tillë. Megjithatë, ajo thekson se me kalimin e kohës, këto paragjykime janë shuar.

“Disa sfida fillimisht kanë qenë në nivel institucional. Kur shkonim në takime unë dhe disa kolegë meshkuj, nuk m’u drejtoheshin mua, por kolegëve të mi meshkuj. Kjo ishte disi sfiduese për mua në aspektin profesional. Por, më vonë edhe meshkujt e tjerë u përshtatën me idenë se femrat mund të jenë po aq të afta në profesionin e teknologjisë informative”, shpjegon Zana Tabaku.

Përveç paragjykimeve, një tjetër pengesë thelbësore për gratë në biznes është mungesa e kapitalit. Mirlinda Kusari-Purrini, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Afariste të Gruas “SHE-ERA”, thekson për Radion Evropa e Lirë se problemi kryesor për nisjen e një biznesi të ri është mungesa e regjistrimit të pronave në emër të grave.

Mosregjistrimi i pronave në emër të grave ua pamundëson atyre marrjen e kredive në bankat komerciale për zgjerimin e veprimtarisë së tyre. Edhe në rastet kur kanë të drejtë të marrin kredi, normat e interesit janë shumë të larta.

“Për këtë arsye gratë hezitojnë të marrin kredi, sepse nuk janë të sigurta nëse mund t’i përballojnë normat e interesit dhe njëkohësisht të zhvillojnë veprimtarinë e tyre”, thotë Kusari-Purrini.

Edhe Zana Tabaku konfirmon se deri më tani nuk ka përfituar ndonjë grant apo subvencion nga institucionet qeveritare apo joqeveritare. Ajo tregon se për fillimin e biznesit ka gjetur investitorë në diasporë.

“Fatmirësisht, në nisje të biznesit nuk kemi pasur nevojë të marrim kredi. Por, më vonë kur jemi përballur me kriza, jemi drejtuar institucioneve financiare për kredi, por ka qenë shumë problematike, sepse qasja në financim është e vështirë për një biznes të ri. Deri më tani nuk kemi marrë as kredi, as grante apo subvencione. E kemi nisur me investime nga diaspora (Anglia). Tani kompania ka arritur qëndrueshmëri dhe gjeneron vetë të ardhura”, tha Tabaku.

Pavarësisht numrit relativisht të vogël të grave në biznes sipas platformës “Biznese të Hapura”, në listën e 10 bizneseve kryesore sipas vlerës së kapitalit, në vendin e parë renditet një biznes në sektorin e transportit ajror, i drejtuar nga një grua.

Në anën tjetër, zyrtarët qeveritarë kanë premtuar vazhdimisht fuqizimin e pjesëmarrjes dhe suksesit të grave në biznes.