**Pacolli: Vendimi për barrierën në Prevallë, vetëm pas konsultimeve me banorët**

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka theksuar se çdo vendim lidhur me vendosjen e një barriere në rrugën për në Prevallë do të merret vetëm pas konsultimeve me banorët dhe palët e interesit.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Pacolli bëri të ditur se është njohur me shqetësimet e ngritura nga banorët e Prevallës dhe fshatrave përreth. Ajo shtoi se çështja e menaxhimit të trafikut do të diskutohet në mënyrë të përbashkët për të gjetur zgjidhjen më të përshtatshme.

“Nuk ka nevojë për protestë. Asnjë vendim nuk do të merret pa dialog me banorët dhe palët e interesit,” shkroi ajo.

Pacolli njoftoi se aktualisht ndodhet në Arabinë Saudite, ku po përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Ujit. Ajo paralajmëroi se javën e ardhshme do të zhvillojë një takim me banorët për të dëgjuar shqetësimet dhe propozimet e tyre.

Ky reagim i ministres në detyrë vjen pas shqetësimeve të shprehura nga banorët lidhur me vendosjen e një barriere në hyrje të rrugës për në Prevallë.