Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sulme të reja ajrore ndaj Iranit, pas një incidenti të raportuar në Ngushticën e Hormuzit, ku Irani akuzohet se ka sulmuar me dron një anije me flamur panamez.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi goditjen e disa objektivave brenda territorit iranian, duke e cilësuar operacionin si përgjigje ndaj sulmeve të përsëritura ndaj anijeve tregtare në rajon.
Pas këtij përshkallëzimi të situatës, të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, duke rritur frikën për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Në këtë klimë të tensionuar ka reaguar edhe Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka lëshuar një paralajmërim të ashpër ndaj Teheranit.
Në një postim në rrjetin e tij “Truth Social”, Trump deklaroi se avionët amerikanë kanë goditur depo raketash dhe sisteme radarësh detarë në Iran, si përgjigje ndaj asaj që ai e quajti shkelje të armëpushimit nga ana e Teheranit.
“Aeroplanët amerikanë sapo goditën depozitat iraniane me raketa dhe dronë, si dhe bazat e radarëve detarë, pasi vendi shkeli edhe njëherë armëpushimin,” shkroi ai.
Presidenti amerikan paralajmëroi se durimi i SHBA-së po arrin limitin, duke lënë të kuptohet se përshkallëzimi mund të vazhdojë më tej.
“Mund të vijë një moment kur nuk do të jemi më në gjendje të përdorim arsyen dhe do të na duhet të çojmë në fund veprën që nisëm me shumë sukses. Dhe nëse kjo ndodh, Republika Islamike e Iranit do të rreshtë së ekzistuari,” theksoi Trump.
