Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka inauguruar në Porto të Portugalisë Bibliotekën “Manifesto”, një hapësirë e përhershme brenda librarisë historike Livraria Lello, dedikuar librave të ndaluar dhe të censuruar.

Projekti u prezantua gjatë festivalit ndërkombëtar të librit BABELL – Qyteti i Librave. Sipas artistes, kjo është fryt i një misioni disavjeçar për të nxitur leximin dhe lirinë e shprehjes.

Lipa theksoi rëndësinë e kësaj iniciative, duke cituar: “Kur themelova Klubin e Librit Service95, synimi im ishte të krijoja një shtëpi për shkrimtarët dhe lexuesit, kudo që ndodhen. Leximi na afron, por fatkeqësisht jo të gjithë e shohin kështu.”

Biblioteka përmban rreth 100 tituj, të organizuar sipas katër temave kryesore: pushteti, kontrolli, zëri dhe kujtesa. Në raftet e saj gjenden vepra të njohura si “The Handmaid’s Tale” e Margaret Atwood, “Felon” i Reginald Dwayne Betts, si dhe libra të autorëve Salman Rushdie dhe Olga Tokarczuk.

Ajo shpjegoi se ‘Biblioteka Manifesto’ është një vend dedikuar autorëve, veprat e të cilëve janë censuruar apo ndaluar, si dhe lexuesve që besojnë fuqishëm se askush nuk duhet të përcaktojë se cilët libra lejohen të lexohen.

Përveç angazhimit të saj në muzikë, Dua Lipa vazhdon të jetë një promotore e zjarrtë e letërsisë. Ajo e bën këtë përmes Klubit të Librit Service95 dhe, më tej, është zgjedhur si kuratore e Festivalit të Letërsisë në Londër 2026, që do të mbahet në Qendrën Southbank.