Kryeministri Kurti takon profesorin Serwer: Diskutime për integrimin euroatlantik dhe sigurinë rajonale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim profesorin amerikan dhe njohësin e çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer. Temat kryesore të diskutimit ishin zhvillimet politike në Kosovë, procesi i integrimit euroatlantik, si dhe situata e sigurisë në rajon.
Lajmin për takimin, Kurti e bëri të ditur përmes një postimi në platformën ‘Facebook’. Ai theksoi se Serwer ishte mysafiri i parë amerikan të cilit i uroi 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në postimin e tij, Kurti shkroi: “Sot pata nderin të pres në Zyrën e Kryeministrit profesorin amerikan dhe mikun e madh të Kosovës, Daniel Serwer, për një takim të përzemërt dhe frymëzues. Gjithmonë është kënaqësi të takohem me profesorin Serwer, i cili sot u bë mysafiri i parë amerikan të cilit ia urova 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së.”
Ai shtoi se me profesorin Serwer u bisedua “për një gamë të gjerë temash të rëndësishme, duke përfshirë situatën e brendshme politike, hapat që Kosova po ndërmerr në përgatitje për anëtarësim në BE dhe NATO, si dhe zhvillimet gjeopolitike dhe implikimet për sigurinë e vendit tonë.”
Kryeministri Kurti vlerësoi lart Serwerin, duke theksuar se “Kosova është me fat që e ka një mik si Daniel Serwer, i cili kurrë nuk ka hezituar të flasë të vërtetën për popullin tonë dhe kërcënimet që paraqet Serbia ndaj sigurisë rajonale.”
