OKB parashikon mbi 10 mijë viktima në Venezuelë: Numri i të vdekurve rritet pas tërmeteve shkatërruese
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka njoftuar se po përgatitet të sigurojë rreth 10,000 thesë për kufoma, si pjesë e operacionit të gjerë të kërkim-shpëtimit në Venezuelë, pas tërmeteve të fuqishme që goditën vendin.
Koordinatori rezident humanitar i OKB-së, Gianluca Rampolla Del Tindaro, deklaroi në një konferencë shtypi se, sipas të dhënave të fundit të dielën në mbrëmje, numri i viktimave kishte arritur në 1,450. Megjithatë, ai shtoi se ky numër pritet “të rritet në mënyrë të pashmangshme dhe mjeruese” ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, raporton BBC.
Ai theksoi se OKB-ja, në koordinim me autoritetet lokale, po vepron mbi supozimin se nevojiten rreth 10 mijë thesë për kufoma, duke e cilësuar situatën si tejet të rëndë dhe dramatike.
“Shpresojmë që ky numër të jetë më i ulët, ndaj jemi aktualisht të përqendruar në operacionet e shpëtimit,” deklaroi Del Tindaro.
Ndërkohë, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) kishte vlerësuar, menjëherë pas tërmeteve, se ekzistonte një mundësi prej 44% që numri i viktimave të arrinte 10,000, si dhe një mundësi prej 30% që ky numër të shkonte deri në 100,000.
