Edward P. Joseph, ekspert për Ballkanin, ka vlerësuar se përgjegjësia për ngërçin institucional në Kosovë u takon liderëve politikë, si atyre në pozitë, ashtu edhe atyre në opozitë.
Joseph theksoi se bllokimi fillestar nisi nga kryeministri Albin Kurti, i cili, sipas tij, kishte pasur një mundësi të shkëlqyer për të avancuar, pas fitores bindëse në zgjedhjet e dhjetorit.
“Padyshim, liderët politikë të Kosovës mbajnë përgjegjësi. Kjo përfshin disa prej tyre, jo vetëm një. Bllokimi fillestar u shkaktua nga kryeministri Kurti. Ai pati mundësinë, me një fitore të madhe, madje çuditërisht të madhe, në dhjetor, për të avancuar. Ky është mendimi im, si amerikan dhe si mbështetës i Kosovës dhe i anëtarësimit të saj në NATO,” deklaroi ai për EO.
Lidhur me ish-presidenten Vjosa Osmani, Joseph theksoi se ajo kishte krijuar një marrëdhënie të shkëlqyer me Uashingtonin gjatë një periudhe sfiduese për Kosovën, kohë kur dialogu strategjik ishte pezulluar.
Sipas Joseph, përgjegjësia për situatën aktuale nuk bie vetëm mbi Kurtin, por edhe mbi partitë opozitare, të cilat, sipas tij, kanë kontribuar në vazhdimin e ngërçit politik.
“Pra, kryeministri Kurti mban përgjegjësi, por nuk është i vetmi. Edhe opozita është përgjegjëse për këtë bllokadë të vazhdueshme. Kjo situatë është artificiale, plotësisht e papranueshme dhe i sjell përfitim Serbisë, pasi ajo më pas mund të thotë: ‘Shikoni këtë kaos’,” citohet të ketë thënë ai.
