Kurti: Liria dhe pavarësia e Kosovës, të lidhura thellësisht me ndihmën amerikane
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, mori pjesë dje në festimin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, organizuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku ndau edhe fotografi nga pritja bashkë me të ngarkuarën me punë të Ambasadës, Anu Prattipati, Kurti theksoi se realizimi i vlerave të jetës, lirisë dhe kërkimit të lumturisë për popullin e Kosovës, janë thellësisht të lidhura me Shtetet e Bashkuara.
“Kosova,” theksoi Kurti, “është përherë falënderuese dhe mirënjohëse ndaj SHBA-së për ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme.”
Në postimin e tij të plotë, Kryeministri Kurti shtjelloi më tej rëndësinë e kësaj marrëdhënieje historike:
“250 vjet!
Jeta, Liria dhe Kërkimi i Lumturisë janë të veçuara në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mesin e të drejtave të patjetërsueshme, si themel i qeverisjes që krijohet me miratimin e popullit.
Ndërsa bota e civilizuar është frymëzuar nga këto vlera, populli ynë për kohë shumë të gjatë ka qenë i privuar nga këto të drejta. Përjetimi ynë në këtë mes është unik, sepse për ne jetësimi i këtyre vlerave dhe të drejtave është i lidhur ngushtë me SHBA-në. Prandaj, këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, natyrshëm i erdhi ndihma amerikane.
Mbrëmë isha i nderuar të marr pjesë në shënimin e Ditës së Pavarësisë së SHBA-së në ambasadën amerikane në kryeqytetin e Republikës sonë. Kosova është përherë falënderuese dhe mirënjohëse ndaj SHBA-së për ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme.”
