Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kreu të mërkurën (1 korrik) fluturimin e parë me avionin e ri presidencial Air Force One, një Boeing luksoz i dhuruar nga Katari, i cili ka shkaktuar reagime të forta për çështje ligjore, etike dhe të sigurisë kombëtare.

Pak para nisjes drejt Dakotës së Veriut, ku mori pjesë në aktivitetet për përkujtimin e 250-vjetorit të Amerikës, Trump shprehu entuziazmin e tij për avionin e ri, duke e cilësuar atë një mjet ajror unik.

“Jam shumë i emocionuar për fluturimin e parë. Nuk ka pasur kurrë një avion tjetër si ky. Sinqerisht, ne nuk do të mund të ndërtonim një avion të tillë, sepse nuk do të kishim fondet e nevojshme. Katarasit kanë shpenzuar shuma të mëdha parash”, deklaroi Trump.

Avioni, vlera e të cilit vlerësohet rreth 400 milionë dollarë, iu dorëzua si dhuratë Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Pentagonit) dhe do të përdoret nga Trump derisa të përfundojë ndërtimi i avionëve të rinj presidencialë nga kompania Boeing, proces që pritet të zgjasë rreth dy vite.

Air Force One i ri ka ngjyrat e bardhë, të kuqe dhe blu të errët, duke ngjasuar me avionin personal që presidenti amerikan përdor prej vitesh.

Sipas Trump, avioni është pajisur me të gjitha sistemet e nevojshme të sigurisë dhe standardet e kërkuara për transportin e presidentit të SHBA-së.

“E përfunduan së fundmi. E përshtatën për një president, me të gjitha sistemet e sigurisë dhe pajisjet e nevojshme. Është vërtet mbresëlënës”, tha ai.

Avioni i ri Air Force One u prezantua zyrtarisht muajin e kaluar në bazën ajrore Andrews, ku Trump e cilësoi atë “avionin më luksoz në botë”.

Brenda tij ndodhen ulëse prej lëkure që mund të shndërrohen në krevate, rripa sigurimi me vulën presidenciale, veshje bezhë në mure dhe dysheme, si dhe detaje të arta në sistemin e ndriçimit.

Avioni i ri zë përkohësisht vendin e Boeing 747-200, i cili ka shërbyer si Air Force One që prej vitit 1990.

Ndërkohë, dy avionë të tipit Boeing 747-800 po përshtaten për t’u shndërruar në avionët e rinj presidencialë të përhershëm (VC-25B), me dorëzimin e tyre që pritet të bëhet pas rreth dy vitesh. /Panorama