Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar një muaj paraburgim për B.H., i dyshuar për vrasjen e imamit G.T. në Dragash, si dhe për babain e tij, I.H., i dyshuar për mosdhënie ndihme.

B.H. akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë”, e cila përshkruhet si privim i jetës së një personi në mënyrë mizore ose dinake. Ndërsa, I.H. dyshohet për veprën penale “mosdhënia e ndihmës”.

Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur më 29 qershor 2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok të Dragashit. B.H. dyshohet se me dashje i ka shkaktuar plagë vdekjeprurëse me thikë tani të ndjerit G.T., si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme lidhur me shfrytëzimin e një prone (livadhi). Viktima ka ndërruar jetë në vendngjarje. Babai i tij, I.H., edhe pse pranë vendit të ngjarjes dhe me mundësi për të ndihmuar, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës që ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore dhe provat e mbledhura në këtë fazë që mbështesin dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale. Masa e paraburgimit është vendosur për të siguruar praninë e të dyshuarve gjatë procedurës penale dhe për të parandaluar arratisjen, duke pasur parasysh edhe peshën e rëndë të veprave. Në veçanti, gjykata thekson mënyrën mizore apo dinake të dyshuar të goditjes me thikë në shpinë dhe qafë të viktimës, si dhe faktin që i dyshuari B.H. ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe më pas u arrestua nga Policia.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se masat alternative të sigurisë do të ishin të pamjaftueshme për të siguruar praninë e të dyshuarve dhe rrjedhën e papenguar të fazës hetimore, e cila synon nxjerrjen e provave, marrjen e deklaratave të dëshmitarëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Gjykata ka theksuar se vërtetësia e këtyre fakteve do të vlerësohet në fazat e mëtejshme të procedurës penale.