**Infrakos instalon barriera automatike në linjën Fushë Kosovë-Pejë, paralajmëron për zonën e sigurisë**
**Fushë Kosovë** – Kompania “Infrakos Sh.A.” ka njoftuar publikun për instalimin e barrierave automatike në të gjitha kalimet hekurudhore përgjatë linjës Fushë Kosovë – Pejë. Ky veprim vjen me qëllim garantimin e sigurisë së trafikut hekurudhor dhe atij rrugor, duke synuar parandalimin e aksidenteve.
Sistemi i ri funksionon nëpërmjet sensorëve automatikë. Në lidhje me këtë zhvillim, “Infrakos” u ka bërë thirrje qytetarëve, operatorëve ekonomikë, përdoruesve të rrugëve dhe të gjitha palëve të interesit që të respektojnë rreptësisht zonën e sigurisë pranë hekurudhës, duke mos iu afruar binarëve më pak se tre metra (3 m).
Në njoftimin e tyre, “Infrakos” thekson se respektimi i kësaj distance është thelbësor për funksionimin e sigurt dhe të pandërprerë të sistemit të ri të kalimeve hekurudhore, si dhe për garantimin e sigurisë së përgjithshme në trafik. Përjashtim nga ky rregull bëjnë vetëm personat e autorizuar, punimet e të cilëve zhvillohen në koordinim të plotë me autoritetet përgjegjëse.
Kompania ka paralajmëruar se zona pranë infrastrukturës hekurudhore do të monitorohet vazhdimisht përmes sistemit të kamerave. Në rast të konstatimit të shkeljeve të rregullave të sigurisë, do të ndërmerren veprimet përkatëse ligjore, përfshirë edhe raportimin e rasteve te organet kompetente.
“Siguria në hekurudhë është përgjegjësi e përbashkët,” përfundon njoftimi i “Infrakos”, duke apeluar për bashkëpunim dhe kujdes nga të gjithë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e sigurt e të pandërprerë të trafikut hekurudhor.
