Kosova duhet të diversifikojë burimet e energjisë për siguri dhe zhvillim ekonomik

**Prishtinë** – Kosova duhet të diversifikojë burimet e saj energjetike për të garantuar sigurinë kombëtare dhe zhvillimin ekonomik. Ky ishte thelbi i mesazhit të përcjellë gjatë tryezës me temë “Gazi si burim i energjisë: Gjendja aktuale dhe perspektiva”, e organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest. Sipas tyre, për investitorët, furnizimi i sigurt dhe i përballueshëm me energji është po aq i rëndësishëm sa stabiliteti makroekonomik.

Lulzim Rafuna, kryetar i OEK-ut, theksoi se bizneset kosovare po përballen me sfida të shumta. “Pyetja më e rëndësishme është çfarë sistemi energjetik i duhet Kosovës për të siguruar zhvillim ekonomik, konkurrencë të bizneseve dhe tërheqje të investimeve?”, pyeti Rafuna. Ai shtoi se sektori energjetik nuk është vetëm një çështje teknike, por mbi të gjitha ekonomike, zhvillimore dhe e sigurisë kombëtare. Konkurrenca ndërkombëtare po rritet, kostot e prodhimit po shtohen, ndërsa energjia elektrike mbetet faktor kyç për konkurrencën e kompanive.

“Çdo ndërprerje e energjisë nënkupton humbje të prodhimit. Çdo rritje e çmimit të energjisë nënkupton rritje të kostos së produktit. Në fund, këto kosto i paguan biznesi, konsumatori dhe ekonomia në tërësi”, tha Rafuna. Për bizneset, energjia elektrike nuk është thjesht një faturë mujore, por një faktor thelbësor në vendimin për të investuar, eksportuar apo zgjeruar aktivitetin në Kosovë.

Rafuna theksoi se debati për gazin nuk duhet të jetë emocional apo politik, por duhet analizuar seriozisht dhe profesionalisht. “Nëse gazi mund të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të energjisë, në rritjen e sigurisë energjetike, në uljen e kostove dhe krijimin e kushteve më të mira për biznesin, atëherë ai duhet të analizohet seriozisht dhe profesionalisht”, u shpreh ai. Ai shtoi se debati nuk duhet reduktuar në pyetjen pro apo kundër gazit, por duhet shtjelluar nga shumë perspektiva: ekonomike, energjetike, mjedisore, gjeopolitike, të sigurisë së furnizimit dhe mbi të gjitha nga perspektiva e zhvillimit ekonomik të vendit.

Kryetari i OEK-ut theksoi rëndësinë e vazhdimit të investimeve në energjitë e ripërtëritshme si dielli dhe era, por shtoi se tranzicioni kërkon kohë. Diversifikimi i burimeve është themeli i çdo sistemi modern energjetik, duke rritur qëndrueshmërinë dhe duke ulur ekspozimin ndaj krizave. Oda Ekonomike lobon për një treg konkurrues, ku më shumë alternativa furnizimi nënkuptojnë çmime më konkurruese të energjisë, duke e bërë produktin dhe shërbimin kosovar më tërheqës.

Alban Hashani, drejtor ekzekutiv i Institutit Riinvest, theksoi se diskutimi i tryezës fokusohet tek e ardhmja energjetike e Kosovës. Ai u shpreh se energjia është një nga faktorët kryesorë që përcakton konkurrueshmërinë e ekonomisë, aftësinë për të tërhequr investime dhe mirëqenien e qytetarëve. “Për investitorët, furnizimi i sigurt dhe i përballueshëm me energji është po aq i rëndësishëm sa stabiliteti makroekonomik, sa infrastruktura, sa fuqia punëtore”, tha Hashani, duke shtuar se politika energjetike është njëkohësisht në esencë politikë zhvillimore.

Hashani vuri në dukje se megjithë hapat e rëndësishëm në miratimin e strategjisë energjetike, veçanërisht për burimet e ripërtëritshme, zbatimi ka qenë i ngadalshëm. Për më tepër, peizazhi energjetik global ka ndryshuar ndjeshëm pas luftës në Ukrainë, rikonfigurimit të tregjeve evropiane dhe rritjes së kërkesës, duke kërkuar një rishikim dhe përditësim të strategjisë aktuale.

“Debati nuk duhet të shtrohet si zgjedhje ndërmjet linjitit, gazit natyror apo burimeve të ripërtëritshme. Pyetja qendrore është se si mund të optimizohet miksi energjetik i Kosovës për të garantuar sigurinë e furnizimit, konkurrueshmërinë ekonomike dhe një tranzicion të suksesshëm drejt një ekonomie me emetime më të ulëta”, shpjegoi Hashani. Ai përfundoi se diversifikimi është themeli i sigurisë energjetike dhe në këtë kuadër duhet të shihet edhe roli potencial i gazit natyror.

Kushtrim Ajvazi, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, dëshmoi për problemet e theksuara në furnizimin me energji elektrike vitet e fundit, ku shpeshherë prodhuesit nuk diskutonin koston, por vetëm disponueshmërinë e energjisë. Ai theksoi rëndësinë e largimit nga varësia prej një burimi të vetëm energjie. Ndërsa investimet në energjinë diellore dhe të erës janë të mirëpritura, diskutohet edhe ndikimi i gazit në qëndrueshmërinë e energjisë për proceset prodhuese.

Ajvazi vuri në dukje se bizneset prodhuese po përballen me sfida të reja, si taksa e karbonit dhe luhatjet e mëdha të çmimeve të energjisë elektrike, të cilat pamundësojnë planifikimin afatgjatë. Ai përmendi se Kosova aktualisht varet rreth 99% nga KEK-u me bazë thëngjillin. Megjithatë, studimet paraprake tregojnë mundësinë e lidhjes së drejtpërdrejtë me gazsjellësin Shkup-Ferizaj-Prishtinë, duke ofruar gaz natyror me çmim historikisht të qëndrueshëm. Kjo do t’i ndihmonte sektorit prodhues në planifikimin e kostos dhe stabilitetit të furnizimit.