Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka theksuar se sektori energjetik nuk është vetëm një çështje ekonomike dhe zhvillimore, por edhe një element thelbësor i sigurisë kombëtare. Këtë deklaratë Rafuna e bëri gjatë tryezës së diskutimit me temë “Gazi si burim i energjisë: Gjendja aktuale dhe perspektiva”, organizuar nga OEK dhe Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest.
Ai theksoi se bizneset në Kosovë përballen me sfida të shumta, duke e lidhur drejtpërdrejt çështjen e energjisë me zhvillimin ekonomik, konkurrueshmërinë dhe tërheqjen e investimeve. “Energjia nuk është vetëm një çështje teknike, ajo është një çështje ekonomike, zhvillimore dhe mbi të gjitha, një çështje e sigurisë kombëtare,” citohet të ketë thënë Rafuna.
Sipas tij, konkurenca në tregjet ndërkombëtare po rritet, kostot e prodhimit po shënojnë rritje, ndërsa çmimi dhe stabiliteti i energjisë elektrike mbeten faktorë kyç për konkurrueshmërinë e kompanive. Ai shtoi se çdo ndërprerje apo rritje e çmimit të energjisë përkthehet në humbje prodhimi dhe rritje të kostos së produktit, të cilat në fund i bartin biznesi, konsumatori dhe ekonomia në tërësi.
Për bizneset, energjia nuk është thjesht një faturë mujore, por një faktor thelbësor që ndikon në vendimet për investim, eksport apo zgjerim të aktiviteteve në Kosovë, veçanërisht pas rritjeve të vazhdueshme të çmimeve ndër vite.
Edhe pse burimi i energjisë ka rëndësinë e tij, Rafuna vuri në dukje se për bizneset, prioritet thelbësor mbetet disponueshmëria, siguria dhe çmimi konkurrues. “Biznesi nuk ndërton strategjinë e tij mbi emrin e burimit të energjisë, ai ndërton strategjinë mbi sigurinë e furnizimit dhe mbi koston e energjisë,” u shpreh ai.
Në këtë kuadër, ai theksoi rëndësinë e analizimit serioz dhe profesional të gazit si një alternativë potenciale. Sipas Rafunës, nëse gazi mund të kontribuojë në diversifikimin e burimeve, rritjen e sigurisë energjetike, uljen e kostove dhe përmirësimin e kushteve për biznesin, atëherë diskutimi duhet të bazohet në kritere ekonomike dhe strategjike, jo emocionale apo politike.
Rafuna argumentoi se debati për gazin nuk duhet të kufizohet në një pozicion pro ose kundër, por të shtjellohet në disa dimensione: ekonomike, energjetike, mjedisore, gjeopolitike, të sigurisë së furnizimit dhe sidomos nga perspektiva e zhvillimit ekonomik të vendit. Ai kujtoi se Kosova ka pasur përvojë me energjinë e prodhuar nga gazi përmes importit, duke sugjeruar se analiza e kësaj alternative është legjitime për vendimmarrje të informuara dhe afatgjata.
Në fund, Rafuna nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të investimeve në energjinë e ripërtëritshme, si dielli dhe era, duke theksuar se tranzicioni energjetik kërkon kohë. Ai shtoi se një sistem modern energjetik mbështetet në diversifikim: “Sa më shumë alternativa dhe burime energjie të kemi në dispozicion, aq më i qëndrueshëm bëhet sistemi dhe aq më pak ekspozohemi ndaj krizave dhe luhatjeve të tregut.” Oda Ekonomike e Kosovës, sipas kryetarit të saj, lobon për një treg energjetik konkurrues, ku numri i madh i alternativave dhe ofertuesve do të ulte çmimin, duke bërë produktet dhe shërbimet e Kosovës më konkurruese në tregun ndërkombëtar.
