Mbrojtësi i Gjermanisë, Jonathan Tah, ka thyer heshtjen pas eliminimit dramatik të kombëtares së tij nga Paraguai në Kupën e Botës 2026, duke pranuar se penalltia e humbur në serinë vendimtare vazhdon ta mundojë.

Qendërmbrojtësi i Bayern Munich ishte ekzekutuesi i gjashtë i Gjermanisë dhe dërgoi topin mbi traversë, ndërsa më pas José Canale realizoi penalltinë vendimtare për Paraguain, duke vulosur fitoren 4-3 pas penalltive, pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt dhe vazhdime.

Në një reagim në rrjetet sociale, Tah foli hapur për zhgënjimin e madh që po përjeton.

“Penalltia e humbur më ka kaluar në mendje mijëra herë. Mundohem ta imagjinoj topin duke përfunduar në rrjetë, por realiteti është se nuk hyri. Dhe kjo dhemb. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer dhe i trishtuar që u eliminuam. Të jem i sinqertë, ende nuk e kam kuptuar plotësisht atë që ndodhi”, shkroi ai.

Sipas raportimeve të BILD, Tah mori përsipër penalltinë pasi disa nga lojtarët më me përvojë të Gjermanisë hezituan të ekzekutonin. Ironikisht, 30-vjeçari nuk kishte gjuajtur kurrë një penallti gjatë karrierës së tij profesionale.

Megjithatë, ai theksoi se nuk pendohet për vendimin.

“Do ta bëja sërish. Me të njëjtin besim se do të shënoja për Gjermaninë. Këtë herë nuk funksionoi, por kjo nuk do të më ndalojë të provoj përsëri. Ne si skuadër do të vazhdojmë përpara dhe edhe unë do të vazhdoj, pavarësisht gjithçkaje”, shtoi Tah.

Eliminimi i Gjermanisë u shoqërua edhe me polemika. Në vazhdime, Tah mendoi se kishte shënuar golin e fitores, por arbitri e anuloi pas një faulli të dyshuar të Waldemar Anton ndaj portierit kundërshtar. Vendimi shkaktoi zemërim te trajneri Julian Nagelsmann, i cili e cilësoi atë si “një skandal”, duke pretenduar se Gjermanisë iu mohua një gol i rregullt.

Pavarësisht kritikave, Tah ka marrë mbështetje të madhe nga figura të njohura të sportit. Ylli i NBA-së Dennis Schröder, ish-bashkëlojtari Granit Xhaka dhe ish-sulmuesi i Gjermanisë, Cacau, i kanë shprehur publikisht mbështetjen.

Edhe Bayern Munich reagoi në rrjetet sociale, duke i shkruar mbrojtësit të tij: “Fjala krenari është shumë pak për atë që ndiejmë.”

Megjithëse Gjermania po përballet me një periudhë reflektimi pas eliminimit të hershëm, gatishmëria e Tah për të marrë përgjegjësi shihet si një sinjal se ai do të mbetet një nga shtyllat e kombëtares në të ardhmen. /GazetaExpress/