Koalicioni i OJQ-ve vlerëson: Procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit, transparent dhe i barabartë
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe Lëvizja FOL, të bashkuara në një koalicion të organizatave joqeveritare (OJQ), e kanë vlerësuar procesin e deritanishëm për përzgjedhjen dhe emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit si transparent dhe të barabartë.
Përmes një komunikate, koalicioni bëri të ditur detajet e raportit paraprak të monitorimit, ndërsa raporti përfundimtar do të publikohet në fund të procesit.
“Bazuar në monitorimin e fazave të zhvilluara deri më tani, Koalicioni vlerëson se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka arritur të zhvillojë një proces të rregullt, transparent dhe të barabartë ndërmjet kandidatëve”, thuhet në komunikatë. Ky vlerësim i referohet procesit deri në fazën e intervistimit, ndërsa vlerësimi përfundimtar do të varet nga ligjshmëria, arsyetimi dhe transparenca e hapave të mbetur proceduralë.
Koalicioni thekson se me ndryshimin dhe plotësimin e rregullores, KPK ka adresuar një pjesë të rëndësishme të problemeve të evidentuara gjatë procesit të mëparshëm për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit. Ndryshimet kanë harmonizuar procedurën me legjislacionin në fuqi, kanë qartësuar kompetencat dhe përgjegjësitë e Kryeprokurorit të Shtetit, kanë eliminuar paqartësitë procedurale dhe kanë zvogëluar mundësinë që e njëjta aftësi apo përgjigje të vlerësohet dy herë.
Gjithashtu, KPK ka publikuar konceptdokumentet e të gjithë kandidatëve, duke i dhënë mundësi publikut, mediave dhe organizatave monitoruese të njihen paraprakisht me vizionin dhe qasjen e secilit kandidat.
“Gjatë fazës së verifikimit dhe konfirmimit të kandidaturave, Koalicioni nuk ka evidentuar probleme përmbajtësore”, thuhet në njoftim. Paneli Vlerësues ka shqyrtuar dosjet e kandidatëve dhe ka konstatuar se pesë kandidatët i plotësojnë kriteret ligjore dhe rregullative për të vazhduar procesin. Një pengesë e shkurtër u shfaq kur në fillim të kësaj faze, përfaqësuesve të organizatave monitoruese iu kërkua të nënshkruanin një deklaratë konfidencialiteti, e cila do të kufizonte raportimin publik. Koalicioni refuzoi ta nënshkruante atë, duke argumentuar se një kufizim i tillë do të cenonte qëllimin e monitorimit të pavarur. Pas kundërshtimit, KPK nuk insistoi në këtë kërkesë dhe monitorimi vazhdoi pa kufizime të tilla.
Procesi i hartimit të pyetjeve standarde u zhvillua në prani të monitoruesve dhe u incizua tërësisht me audio dhe video. KPK ndërmori masa për të ruajtur konfidencialitetin dhe integritetin e pyetjeve, përfshirë ndalimin e telefonave dhe pajisjeve të tjera të komunikimit në sallën ku u zhvilluan intervistat. Paneli Vlerësues shqyrtou pyetjet e propozuara nga anëtarët, shmangu përsëritjet dhe përcaktoi paraprakisht pritshmëritë për përgjigjet e kandidatëve. Kjo ndihmoi në uljen e subjektivitetit dhe në sigurimin e një standardi të njëjtë vlerësimi.
Gjetja më e rëndësishme e Koalicionit është se gjatë intervistimit nuk u konstatua trajtim i pabarabartë i kandidatëve.
“Të pesë kandidatët u intervistuan sipas të njëjtave kushte dhe standarde procedurale. Secilit kandidat iu dha kohë e barabartë, të gjithëve iu parashtruan pyetjet e njëjta standarde dhe asnjërit kandidat nuk iu bënë pyetje të tjera thelbësore. Secili kandidat u vlerësua menjëherë pas përfundimit të intervistës së tij, në prani të monitoruesve. Gjatë pikëzimit, monitoruesit nuk evidentuan komunikim ndërmjet anëtarëve të Panelit Vlerësues që do të mund të krijonte dyshime për koordinim të vlerësimeve, cenim të pavarësisë së pikëzimit apo shkelje të konfidencialitetit të procesit. Pas përfundimit të intervistimit dhe pikëzimit, rezultatet u shpallën publikisht brenda pak minutash. Për më tepër, KPK i ka publikuar intervistat në platformat e saj, duke i mundësuar publikut të ndjekë me video dhe audio performancën e secilit kandidat”, theksohet më tej në njoftim.
“Duke marrë parasysh se rezultatet e kandidatëve janë të përafërta, me një dallim mes kandidatit të parë dhe të fundit prej vetëm rreth 5 pikësh, është veçanërisht e rëndësishme që edhe hapat e mbetur deri në emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit të zhvillohen me kujdes, si dhe në përputhje me parimet e sipërpërmendura”, shkruhet në komunikatë.
IKD, KDI dhe FOL do të vazhdojnë monitorimin deri në përfundimin e të gjitha fazave procedurale. Pas përfundimit të procesit, Koalicioni i OJQ-ve do të publikojë raportin përfundimtar.
