Milani ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Rafael Leaos dhe ka paraqitur planin e tij për një largim të mundshëm të sulmuesit, sipas raportimeve.

Klubi kuqezi kërkon 60-70 milionë euro dhe është i gatshëm të pranojë edhe një marrëveshje huazimi me detyrim blerjeje, një formulë që mund t’u përshtatet Tottenham Hotspurit ose Manchester Unitedit.

Sulmuesi portugez pati një sezon të vështirë nën drejtimin e trajnerit Max Allegri, i cili shpesh e aktivizoi jashtë rolit të tij natyral, si qendërsulmues.

Në një rast, Leao reagoi me zemërim pasi u zëvendësua herët gjatë një ndeshjeje.

Dështimi i Milanit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve solli shkarkimin e Allegrit dhe emërimin e Ruben Amorimit në krye të skuadrës, por drejtuesit e klubit ende nuk janë të bindur se duhet ta mbajnë futbollistin më të paguar të ekipit.

Kontrata e Leaos skadon në qershor të vitit 2028, ndërsa bisedimet për rinovimin e saj kanë mbetur të bllokuara prej muajsh.

Për këtë arsye, disa burime, përfshirë “Sky Sport Italia” dhe “MilanNews”, raportojnë se drejtuesit e Milanit janë takuar me përfaqësuesit e lojtarit.

Mesazhi i klubit ishte i qartë: Leao është në shitje për një shumë prej 60-70 milionë eurosh.

Milani do të siguronte një fitim të konsiderueshëm nga kjo marrëveshje, pasi e bleu portugezin nga Lille në vitin 2019 për një shumë që në total arriti në 49.5 milionë euro.

Një nga opsionet që klubi është i gatshëm të pranojë është edhe një huazim me detyrim blerjeje në fund të sezonit, gjë që do ta bënte më të lehtë gjetjen e një blerësi.

Deri më tani, ofertat konkrete kanë ardhur vetëm nga Galatasaray dhe Fenerbahçe, por Leao ka bërë të ditur për mediat portugeze se preferon të transferohet në Premierligë ose në La Liga.

Manchester Unitedi konsiderohet kandidati kryesor për ta transferuar, megjithëse aktualisht duket se klubi anglez ka prioritete të tjera në merkato.

Gjithashtu, në mesin e klubeve të interesuara përmendet edhe Tottenham Hotspuri i drejtuar nga Roberto De Zerbi.

Ajo që Milani dëshiron të shmangë është rikthimi i një lojtari të pakënaqur pas Kupës së Botës, ndërsa kontrata e tij vazhdon të afrohet drejt skadimit dhe interesimi nga klubet mbetet i kufizuar./GazetaExpress/