**Të dyshuarit për mashtrim me tatime dhe derivate para Gjykatës**
Disa nga personat e dyshuar, të arrestuar në aksionin e së mërkurës kundër krimit të organizuar, janë paraqitur sot para Gjykatës. Ata akuzohen për realizimin e transaksioneve fiktive me derivate të naftës dhe mashtrim fiskal.
Prokuroria Speciale ka kërkuar masën e paraburgimit për nëntë të dyshuarit e përfshirë në këtë rast.
Operacioni policor kundër krimit të organizuar u zhvillua më 1 korrik, nën drejtimin e Prokurorisë Speciale dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës. Me asistencën e Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës, ky aksion rezultoi me arrestimin e nëntë personave.
Gjatë operacionit, autoritetet gjetën dhe sekuestruan 15 mijë euro, pesë automjete, pesë autobotë për transport derivatesh, dy armë zjarri, 54 fishekë, pajisje elektronike, dokumente të ndryshme dhe prova të tjera thelbësore për çështjen. Gjithashtu, u gjetën 301 euro në kartëmonedha dyshe, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.
Hetimet çuan në arrestimin e F.M., F.M., M.M., S.K., N.B., D.M., A.M., N.M., dhe G.Q. Këta persona dyshohen për kryerjen e veprave penale të pastrimit të parave, kontrabandës së mallrave në bashkëkryerje, pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, falsifikimit të dokumenteve në lidhje me tatimet dhe shmangies fiskale.
