Seancë gjyqësore për vrasjen e Auron Thaqit: Dëshmojnë pjesëtarë të Njësisë Speciale
Sot në orën 13:15, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, do të mbahet seanca gjyqësore lidhur me vrasjen e 26-vjeçarit Auron Thaqi. Ai humbi jetën pas një sulmi me thikë në shtator të vitit 2023.
Në këtë seancë pritet të dëshmojnë disa pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, si dhe dëshmitari kyç i rastit, Andi Isufi.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Thaqi u plagos rëndë në Prizren dhe më pas u dërgua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra. Gjithashtu, dyshohet se pas sulmit, ai është hedhur nga një veturë në lëvizje.
Lidhur me këtë rast, në paraburgim ndodhen dy të dyshuar: Enes Ay dhe Hajrullah Brcani.
Ay akuzohet për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekjen”, ndërsa Brcani për “Mosdhënie të ndihmës” dhe “Moslajmërim të veprës penale apo kryerësve të saj”.
Rasti ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik për shkak të rrethanave të rënda të ngjarjes, ndërsa familja e Auron Thaqit vazhdon të kërkojë drejtësi. Procesi gjyqësor po vazhdon në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
