Oda Amerikane kritikon inspektimin ndaj “Vita”-s: Përkeqëson klimën e biznesit

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka shprehur shqetësim serioz lidhur me inspektimin e paprecedent të zhvilluar dje në qumështoren “Vita”. Ky veprim, sipas OEAK-ut, sinjalizon një përkeqësim të mjedisit të të bërit biznes në vend.

“Vita” është një prej kompanive më të mëdha prodhuese në Kosovë, një ndër tatimpaguesit kryesorë dhe një biznes me rol thelbësor në zhvillimin e industrisë së përpunimit të ushqimit dhe prodhimit vendor.

Angazhimi i një numri kaq të madh inspektorësh ndaj një kompanie të vetme përbën një veprim të paprecedent, i cili ngre pikëpyetje serioze lidhur me proporcionalitetin, domosdoshmërinë dhe qëllimin e kësaj ndërhyrjeje. Ndonëse Oda Amerikane mbështet plotësisht zbatimin e ligjit dhe përgjegjësinë e institucioneve shtetërore për mbrojtjen e shëndetit publik dhe konsumatorëve, ajo thekson se këto kompetenca duhet të ushtrohen gjithmonë në mënyrë proporcionale, profesionale, të paanshme dhe në përputhje me parimet e sigurisë juridike.

Veprime të kësaj natyre krijojnë perceptimin e një trajtimi selektiv dhe tendencioz, duke dëmtuar besimin e komunitetit të biznesit dhe duke dërguar një sinjal negativ për investitorët, qofshin ata vendorë apo ndërkombëtarë.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka theksuar vazhdimisht shqetësimin e saj për përkeqësimin e klimës së biznesit, si pasojë e pasigurisë juridike në rritje, paparashikueshmërisë institucionale dhe zbatimit jokonsistent të ligjit. Raste si ky, sipas OEAK-ut, vetëm sa i përforcojnë këto shqetësime dhe e dobësojnë më tej besimin e investitorëve në Kosovë.