Autoritetet turke kanë ndaluar ankorimin e një anijeje turistike amerikane, e cila transportonte pasagjerë të komunitetit LGBTQ+, në portet e vendit, duke cituar “standardet morale” dhe “vlerat familjare”. Drejtori ekzekutiv i Atlantis Events, kompanisë që organizon turin mesdhetar, e bëri të ditur këtë vendim të enjten.

Lundrimi me itinerar “Athinë-Venecia”, i cili do të niset nga Greqia më 5 korrik, ishte parashikuar të ndalonte dy ditë më vonë në portin turk të Kuşadasë, e më pas të vijonte drejt Stambollit, sipas Atlantis Events, transmeton Gazeta Express bazuar në shkrimin e CNN.

Megjithatë, në një vendim që ka shkaktuar polemika, autoritetet lokale në Turqi njoftuan anulimin e kësaj ndalese. Ata argumentuan se anija – e cila pritet të transportojë më shumë se 1.000 pasagjerë nga Shtetet e Bashkuara – ishte marrë me qira nga grupe “të njohura për sjellje të papajtueshme me strukturën e shoqërisë sonë dhe me vlerat tona morale”.

Anija, e quajtur Scarlet Lady, është në pronësi të kompanisë së lundrimeve Virgin Voyages, e mbështetur nga biznesmeni Richard Branson, sipas platformës MarineTraffic. Atlantis Events ka njoftuar se, në vend të porteve turke, anija do të ndalojë në Kajro të Egjiptit dhe në ishullin grek të Kretës.

Partia AK e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan ka ashpërsuar retorikën ndaj komunitetit LGBTQ+ gjatë dekadës së fundit, duke nxitur reagime dhe kritika nga organizatat për të drejtat e njeriut. Marshimet e Krenarisë (Pride) në Stamboll janë ndaluar nga autoritetet që nga viti 2015, me justifikimin e shqetësimeve për sigurinë publike.

“Është vërtet tronditëse, për të qenë i sinqertë. Arsyeja është thjesht se bëhet fjalë për një grup homoseksualësh,” tha për CNN presidenti dhe drejtori ekzekutiv i Atlantis Events, Rich Campbell, duke komentuar vendimin e Turqisë për të bllokuar ndalesat e anijes.

“Më shqetëson shumë kur një shtet vendos se cilët turistë lejohen të hyjnë dhe cilët jo,” shtoi ai.

Campbell tha se kjo është hera e parë në 36 vjet që kompanisë së tij “i thuhet drejtpërdrejt se nuk mund të ankorohet në një port për shkak të asaj që jemi”.

CNN ka kërkuar një koment nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë, Ambasada e Turqisë në Uashington dhe kompania Virgin Voyages, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.