**Kreu i SPAK, Klodian Braho: 30 zyrtarë të lartë nën hetim gjatë 2025, mbi 43 milionë euro pasuri të sekuestruara**
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodian Braho, paraqiti para Komisionit të Ligjeve raportin vjetor për vitin 2025, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe janë hetuar 30 zyrtarë të lartë dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 43 milionë euro. Braho vuri theksin te sfidat kryesore të drejtësisë, përfshirë hetimin e korrupsionit në nivele të larta, goditjen e pasurive me origjinë kriminale, krimin kibernetik, gjurmimin e kriptovalutave dhe domosdoshmërinë e forcimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), si dhe bashkëpunimin me institucionet vendase e ndërkombëtare.
Në fushën e luftës kundër korrupsionit, SPAK ka vijuar me vendosmëri hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë. Raporti evidentoi 6 procedime të reja dhe 16 persona nën hetim. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të hetuar gjatë vitit 2025, më shumë se gjysma (18 prej tyre) janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 ish-zyrtarë janë dënuar me vendim të formës së prerë. Këto shifra, sipas Braho-s, dëshmojnë qëndrueshmëri dhe efektivitet në ndjekjen penale në nivelet më të larta të administratës publike. Megjithatë, ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së standardeve kushtetuese, duke kujtuar se “funksioni publik nuk duhet të bëhet pengesë për hetimin, por edhe hetimi penal nuk mund të përbëjë arsye për paragjykim. Kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë.”
Gjatë 2025-s, SPAK ka hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë çështje të reja, duke përfunduar 216 hetime. Çështjet e reja për korrupsion u rritën nga 186 në 220. Në gjykatë u dërguan 24 procedime me 147 të pandehur për korrupsion në nivelet e mesme dhe të ulëta, si dhe 10 procedime me 13 zyrtarë të nivelit të lartë. Braho u shpreh se korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, shkelja e barazisë në tendera publikë, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm dhe lidhja e disa rasteve të korrupsionit me krimin e organizuar mbeten fusha me rrezikshmëri të lartë, duke treguar se “korrupsioni nuk është vetëm shkelje individuale, por në raste të caktuara shërben si infrastrukturë për krimin e organizuar, përfitimin e paligjshëm dhe deformimin e vendimmarrjes publike.”
Në lidhje me krimin e organizuar, SPAK ka hetuar 261 procedime me 445 persona nën hetim. Drejtuesi i SPAK paralajmëroi se grupet kriminale po adoptojnë forma gjithnjë e më komplekse dhe të sofistikuara. Ato përdorin ndarje të qarta rolesh, komunikime të enkriptuara, subjekte tregtare fiktive, transaksione informale dhe investime në pasuri të paluajtshme. Trafiku i narkotikëve dhe pastrimi i produkteve të veprës penale mbeten ndër prioritetet kryesore të hetimit. Në profilin e riskut, grupi i strukturuar kriminal përbën 54%, trafikimi i narkotikëve 28.4% dhe pastrimi i produkteve të veprës penale 24.3%. Shqipëria, në disa raste, shërben si vend tranziti, rekrutimi, koordinimi apo pastrimi i përfitimeve kriminale, me aktivitetin kryesor të grupeve që shpesh shtrihet jashtë territorit të vendit.
Fusha e hetimit financiar dhe pasuror ka shënuar gjithashtu progres, me një vlerë totale të pasurive të sekuestruara që arriti në 43.49 milionë euro, ndërsa vlera e pasurive të konfiskuara ishte 1.91 milionë euro. Ndër pasuritë e sekuestruara përfshihet edhe kriptovaluta Tether (USDT), me vlerë rreth 14.5 milionë dollarë. Braho theksoi se vlera e pasurive të sekuestruara është dukshëm më e lartë se ajo e konfiskuar, duke treguar nevojën për fuqizimin e hetuesve financiarë, zgjerimin e aksesit në databaza shtetërore (aktualisht 22 nga 40 të mundshme), përdorimin e mjeteve analitike dhe zhvillimin e kapaciteteve për analizimin e të dhënave digjitale dhe teknologjisë blockchain. Ai shtoi se këto fusha janë kthyer në “pjesë thelbësore të hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit modern”.
Sa i përket krimeve zgjedhore, SPAK ka administruar 194 materiale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, ka regjistruar 46 procedime penale, ka dërguar 5 çështje në gjykatë me 9 të pandehur, ndërsa 22 procedime vijojnë të jenë nën hetim. Kreu i SPAK sugjeroi që task-forca për krimet zgjedhore të funksionojë në një shtrirje më të gjerë kohore, duke filluar të paktën katër muaj para ditës së zgjedhjeve dhe duke vazhduar deri në përfundim të numërimit. Kjo, sipas tij, do të mundësonte një monitorim më të hershëm dhe më të qëndrueshëm të territorit, shkëmbimin më të shpejtë të informacionit, identifikimin më të mirë të riskut dhe reagimin më të koordinuar ndaj çdo indicieje për vepra penale zgjedhore.
