**Sunny Hill, jo vetëm festival muzike, por dhe epiqendra e rikthimit të diasporës në atdhe**

Çdo verë, Festivali “Sunny Hill” e shndërron Prishtinën në një pikëtakimi qendrore për diasporën shqiptare. Mijëra familje, të cilët jetojnë e punojnë në Zvicër, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera, rikthehen në Kosovë për të marrë pjesë në festival – duke sjellë me vete prindërit, fëmijët dhe miqtë.

Ky fluks vizitorësh nuk është vetëm një festë muzikore, por mbi të gjitha një ribashkim me vendlindjen. Ndjekësit e festivalit shpesh zgjasin qëndrimin e tyre për më shumë se dy javë, duke mbushur hotelet, apartamentet me qira dhe duke shpenzuar nëpër restorante, dyqane e shërbime të tjera. Për shumë familje, festivali është kthyer në pikën kryesore të kalendarit vjetor, duke shënuar javën e kthimit në shtëpi.

Lidhja e thellë me Kosovën është mishëruar në vetë thelbin e festivalit. Ai u themelua nga superylli i muzikës pop, Dua Lipa, me origjinë nga Kosova, dhe babai i saj, Dukagjin Lipa. Festivali, që organizohet në Prishtinë, tërheq vizitorë nga mbi 60 vende të ndryshme të botës.

Ardhja masive e diasporës ka një ndikim të rëndësishëm edhe në ekonominë vendase. Hulumtimet mbi ndikimin e festivalit tregojnë se ai gjeneron rreth 22 milionë euro çdo edicion, pasi vizitorët e huaj shpenzojnë për bileta, akomodim, ushqim dhe shpenzime të tjera të përditshme. Kjo shifër rritet në rreth 50 milionë euro kur llogariten të gjitha shpenzimet e familjeve pjesëmarrëse.

“Java e festivalit është java kur të gjithë kthehen në shtëpi”, thekson bashkëthemeluesi i festivalit, Dukagjin Lipa. Ai shton: “Shohim familjarët që takohen një herë në vit, dhe kjo ndodh pikërisht gjatë festivalit. Madje, në turmën e festivalit dëgjon çdo gjuhë të vendeve nga vjen diaspora jonë. Ne e organizojmë festivalin çdo vit edhe për këtë arsye, që, pavarësisht se ku jeton, çdo herë të kesh një arsye për t’u kthyer në Kosovë”.

Biletat treditore standarde dhe ato VIP tashmë janë në shitje, dhe rezervimet e hershme rekomandohen veçanërisht për diasporën dhe vizitorët ndërkombëtarë. Për informacione më të detajuara rreth biletave, paketave të udhëtimit dhe çdo detaji tjetër, vizitoni faqen zyrtare: www.sunnyhillfestival.com.