Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio zbardh motivet dhe qëllimet e sulmit të supozuar ndaj Iranit: “Ishte e domosdoshme eliminimi i kërcënimit bërthamor”
Në një videomesazh, Marco Rubio, i prezantuar si Sekretar Amerikan i Shtetit, ka shpjeguar arsyet përse Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulmin ndaj Iranit dhe cilat ishin objektivat kryesore të këtij operacioni.
Sipas tij, çështja nuk ishte vetëm aspirata e Iranit për të zotëruar armë bërthamore, por edhe përpjekja e tij për të krijuar një mburojë të padepërtueshme me raketa dhe dronë, një zhvillim që SHBA-ja nuk mund ta lejonte.
Rubio thekson gjithashtu se vendimi i Presidentit Donald Trump për të urdhëruar operacionin në atë moment ishte plotësisht i saktë, pasi synonte eliminimin e kërcënimit para se ai të shndërrohej në të pakthyeshëm.
Ja mesazhi i plotë i Rubios:
“Shumë amerikanë pyesin përse SHBA-ja duhej të sulmonte Iranin tani. Më lejoni të shpjegoj.
Irani dëshiron të ketë armë bërthamore, dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim.
Nëse ata vërtet do të donin vetëm energji bërthamore, siç pretendojnë, mund të kishin ndërtuar reaktorë sipas standardeve ndërkombëtare, ashtu si çdo vend tjetër.
Por Irani nuk veproi kështu. Ai ndërtoi reaktorët dhe infrastrukturën thellë në male, dhe synon të pasurojë uraniumin. Pajisjet që përdoren për energji mund të shërbejnë po ashtu për prodhimin e armëve. Është e qartë se ata gjithmonë mund të kishin ndërtuar një program bërthamor civil, por nuk e bënë.
Përse sulmi u ndërmor tani?
Irani po përpiqej të krijonte një mburojë të padepërtueshme duke prodhuar një numër të madh raketash dhe dronësh, në mënyrë që askush të mos mund t’i sulmonte. Ishim shumë afër pikës ku Irani do të kishte aq shumë raketa dhe dronë, saqë askush nuk do të mund ta ndalonte programin bërthamor. Ky ishte një rrezik i papranueshëm.
Një shtet i qeverisur nga klerikë shiitë ekstremistë me vizion apokaliptik nuk mund të zotëronte armë bërthamore të fshehura pas raketave dhe dronëve.
Kjo ishte mundësia jonë e fundit për eliminimin e kërcënimit që paraqiste kjo mburojë, dhe presidenti mori vendimin e duhur për ta neutralizuar atë menjëherë.
Ky është objektivi i këtij operacioni: shkatërrimi i programit të raketave dhe dronëve, në mënyrë që Irani të mos mund t’i përdorë ato si mburojë, dhe sigurisht, të garantojmë që ai të mos zotërojë kurrë armë bërthamore.”
