Portieri i Paraguait, Orlando Gill, ka pretenduar se Kylian Mbappé bëri një veprim mosrespektues gjatë humbjes së kombëtares së tij ndaj Francës në fazën e 1/8 së finales së Kupës së Botës.

Në një stadium të Filadelfias me vapë përvëluese, penalltia e shënuar nga Mbappé në pjesën e dytë ishte e mjaftueshme për t’i dërguar të besuarit e Didier Deschamps në çerekfinale, ku do të përballen me Marokun, i cili më herët të shtunën (4 korrik) mposhti bashkëorganizatorin Kanadanë me rezultat 3-0.

Pavarësisht se Deschamps aktivizoi një repart ofensiv të mbushur me yje si Mbappé, Ousmane Dembélé, Michael Olise dhe Bradley Barcola, francezët e patën shumë të vështirë të thyenin mbrojtjen e kundërshtarit, që qëndroi i organizuar dhe i vendosur.

Pasi Mbappé realizoi penalltinë 20 minuta para fundit, Paraguai humbi disiplinën, duke bërë disa ndërhyrje të gabuara në kohë dhe tepër agresive.

Kjo bëri që ish-portieri i Anglisë dhe analisti i “BBC”, Joe Hart, të thoshte se paraguajanët u sollën në mënyrë të turpshme, ndërsa lavdëroi profesionalizmin e Mbappé.

“Më pëlqeu mënyra se si u soll Mbappé në këtë ndeshje,” tha Hart.

“Lojtarët e Paraguait u hodhën pas tij që nga minuta e parë. Kur ai qeshte me lojtarët, kishte të drejtë të ishte arrogant, por lojtarët e Paraguait ishin një turp i vërtetë sonte. Nëse do të ishin në ekipin tim, do t’i tërhiqja gjysmën prej tyre jashtë fushës. Nuk do të doja kurrë të fitoja në atë mënyrë dhe nuk do të doja kurrë të luaja futboll në atë mënyrë. Gjyqtari nuk ndihmoi në asnjë moment. Fakti që asnjë lojtar i Paraguait nuk u ndëshkua me karton brenda 90 minutave është i pabesueshëm”, tha ai.

Kolegu i tij në studio dhe ish-reprezentuesi i Gjermanisë, Thomas Hitzlsperger, shkoi edhe më tej, duke thënë se kishte “pak ose aspak respekt” për Paraguain për mënyrën se si u “sollën”.

Ish-mesfushori i Aston Villas dhe Evertonit tha: “Nëse je nga Paraguai, ndoshta të pëlqen kjo skuadër. Ata janë si ‘luftëtarë’ – por nëse je francez ose neutral, nuk mund të kesh më respekt për ta. Kjo nuk është vetëm e turpshme, është edhe më keq se aq.”

Megjithatë, pavarësisht se Gustavo Velázquez dëmtoi vendin e penalltisë para goditjes së Mbappé, Matías Galarza vendosi dorën në fytyrën e Jules Koundé, Andrés Cubas u përplas ashpër me Adrien Rabiot dhe Juan José Cáceres goditi Mbappé, gjyqtari Ilgiz Tantashev nuk ndëshkoi me karton asnjë lojtar të Paraguait.

Ndërkohë, Manu Koné, Barcola dhe Olise morën kartonë të verdhë nga arbitri uzbek.

Pavarësisht përpjekjeve të Paraguait për ta provokuar Mbappén, sulmuesi i Real Madridit ruajti qetësinë, por duket se u hakmor duke refuzuar t’ia shtrëngonte dorën portierit të Paraguait, Gill, menjëherë pas vërshëllimës së fundit.

27-vjeçari nisi festën sapo përfundoi ndeshja, ndërsa Gill u përpoq t’ia shtrëngonte dorën.

Megjithatë, sulmuesi francez vazhdoi të festonte me britma, gjë që bëri që portieri t’ia hidhte topin, veprim të cilin Mbappé e injoroi.

Duke folur për incidentin pas ndeshjes, Gill u tha gazetarëve: “Ky është futbolli. Ia zgjata dorën për ta uruar, por ai më injoroi. Natyrisht, reagova në një moment të nxehtë, por vetëm kaq bëra. Më pas u qetësova. Thjesht doja t’i përgëzoja. E vërteta është se ata kanë zhvilluar një turne të shkëlqyer dhe janë kandidatë për t’u shpallur kampionë të botës”.

Edhe Mbappé dha mendimin e tij për atë që e quajti taktika “të shëmtuara” të Paraguait.

“E dinim se çfarë lloj ndeshjeje do të kishim,” tha ai.

“Edhe ne dimë t’i bëjmë duart pis. Dimë të luajmë futboll të shëmtuar. Mendoj se ata mendonin se do të paraqiteshim me smoking, por ne ishim gati”, shtoi ai.

Franca do të përballet me Marokun në Stadiumin e Bostonit më 9 korrik./GazetaExpress/