Një shofer i një autobusi të kompanisë kosovare “Pranvera Tours” është arrestuar në Hungari, pasi autoritetet doganore dhe policore zbuluan armë zjarri dhe cigare kontrabandë brenda mjetit. Ngjarja ka ndodhur në fund të qershorit, pranë autostradës M5 në Balastya.

Mediat hungareze kanë raportuar se doganierët zbuluan disa revolvera të fshehur nën ulëset pranë shoferit, si dhe disa pako cigare pa pullë akcize.

Hetuesit hungarezë morën në pyetje dhe më pas ndaluan shoferin 42-vjeçar, i cili dyshohet për veprën penale të “Keqpërdorimit të armës së zjarrit ose municionit”.

Kompania “Pranvera Tours” ka konfirmuar incidentin për Klankosova.tv, duke theksuar se rasti lidhet me një rrjet të organizuar kriminal, i cili, sipas tyre, ka shënjestruar edhe kompani të tjera transporti.

Madje, menaxheri i kompanisë bëri të ditur se një rast penal është hapur edhe në Kosovë lidhur me këtë incident.

“Rasti ka ndodhur më 24 qershor në Hungari, ku pas kontrollit u gjetën në autobus 6 pako cigare dhe 4 armë. Pas kontrollit, autobusi dhe njëri shofer e vazhduan rrugën, ndërsa shoferi tjetër u ndalua nga policia,” tha menaxheri.

Ai shtoi se hetimet janë duke vazhduar, duke theksuar se vetëm brenda asaj jave, një rrjet i organizuar kishte tentuar të kontrabandonte armë nëpërmjet katër kompanive të tjera, duke i fshehur ato në bagazhe ose në zona të tjera të autobusëve. Policia e Kosovës është njoftuar menjëherë për këtë rast, në mëngjesin e datës 25 qershor.