Dega e LDK-së në Beneluks kërkon nga Kryesia Qendrore analizë të thellë të zgjedhjeve dhe forcim të partisë

**Bruksel** – Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Beneluks ka mbajtur një mbledhje ku ka shqyrtuar situatën pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Si përfundim i saj, dega i ka kërkuar kryesisë qendrore të partisë të bëjë një analizë të thellë të procesit zgjedhor dhe të ndërmarrë masat e nevojshme në funksion të forcimit të mëtejshëm të LDK-së.

Ky njoftim është bërë publik përmes një postimi në faqen zyrtare të degës në rrjetin social Facebook. Kryesia e degës shprehu mbështetjen e saj të plotë për të gjitha strukturat e LDK-së, përfshirë kryetarin Lumir Abdixhiku, Kryesinë Qendrore, Këshillin e Përgjithshëm dhe Kuvendin e partisë.

Njëkohësisht, në komunikatë theksohet se duhet t’u bëhet e qartë zërave nga jashtë LDK-së, si dhe disa zërave nga brenda, se vetëm strukturat e partisë kanë mandatin dhe legjitimitetin për të udhëhequr proceset zgjedhore dhe ato të vendimmarrjes brenda LDK-së.

Njoftimi është nënshkruar nga B. Kastrati, Kryetar i Degës së LDK-së për Beneluks, dhe është bërë publik nga Brukseli.