Qumështorja “Vita” do të rifillojë sonte grumbullimin e qumështit të freskët nga fermerët. Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) është zotuar se do të publikojë sa më shpejt rezultatet e analizave laboratorike të mostrave të marra në këtë dhe në qumështore të tjera, raporton Ekonomia Online.

Ky zhvillim vjen pas një takimi që zgjati rreth tre orë, mes ministrit të Bujqësisë, përfaqësuesve të Shoqatës së Fermerëve, prodhuesve të qumështit dhe përfaqësuesve të qumështores “Vita”, i cili u mbajt pas tensioneve të krijuara ditët e fundit.

Fidan Krasniqi, anëtar i Bordit të Shoqatës së Fermerëve, theksoi se të gjitha palët e përfshira ranë dakord të presin rezultatet zyrtare të analizave.

Krasniqi bëri me dije se në takim ishin të pranishëm prodhuesit e qumështit, shoqata dhe përpunuesi, në këtë rast qumështorja “Vita”. Ai shtoi se pas një diskutimi të gjatë, të gjithë subjektet u zotuan se Ministria, konkretisht Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, do të publikojë rezultatet e mostrave të marra nga qumështorja në një afat sa më të shkurtër.

Krasniqi sqaroi se vonesa e publikimit të rezultateve lidhet me faktin se analizat nuk po kryhen vetëm për qumështoren “Vita”. Mostrat janë marrë edhe në shumë qumështore të tjera dhe, për shkak të natyrës specifike të analizave që do të kryhen në këto produkte, shpresohet që rezultatet të jenë gati sa më shpejt.

Ai njoftoi se gjatë takimit është arritur një marrëveshje e përkohshme, sipas së cilës qumështorja “Vita” do të nisë menjëherë grumbullimin e qumështit të freskët nga fermerët, ndërsa çështjet e tjera do të diskutohen në takimet e ardhshme.

Përfaqësuesit e qumështores u zotuan se sonte do të fillojë grumbullimi i qumështit të freskët nga fermerët. Krasniqi shprehu shpresën se në takimet e radhës do të zgjidhen edhe problemet e tjera, të cilat prodhuesit e qumështit i shprehën sot përmes protestave.