Samiti i NATO-s në Ankara, dominuar nga polemikat rreth Grenlandës, pas deklaratave të Presidentit amerikan Donald Trump. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka tensionuar atmosferën e samitit dyditor të NATO-s, duke ripërsëritur pretendimin se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e Grenlandës. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, reagoi menjëherë, duke kërkuar që SHBA-ja të respektojë sovranitetin e Danimarkës.
Përveç çështjes së Grenlandës, samiti u shoqërua edhe me kritikat e zakonshme të Trumpit ndaj vendeve anëtare të Aleancës, pavarësisht rritjes së ndjeshme të shpenzimeve për mbrojtje nga shtetet evropiane dhe Kanadaja.
Që në mbërritjen e tij në Ankara të martën pasdite, Trump ripërsëriti kërkesën, e shprehur edhe më herët gjatë vitit, se Grenlanda, territori gjysmë-autonom i Danimarkës në Arktik, “duhet të kontrollohet nga Shtetet e Bashkuara”. Ai akuzoi Danimarkën se nuk investon mjaftueshëm në mbrojtjen e ishullit, duke theksuar se Kopenhaga “nuk shpenzon para për ta ndihmuar vërtet Grenlandën” dhe sugjeroi se nuk është në gjendje ta mbrojë nga anijet ruse apo kineze, të cilat, sipas tij, operojnë në rajon.
Në reagim, kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, e cila mbërriti në samit të mërkurën në mëngjes, ripërsëriti qëndrimin e vendit të saj se “Grenlanda sigurisht që nuk është në shitje”.
“Ne jemi një shtet sovran dhe kërkojmë nga të gjithë të respektojnë integritetin tonë territorial”, deklaroi ajo.
E pyetur nëse Danimarka do ta mbronte ushtarakisht Grenlandën në rast sulmi, Frederiksen u përgjigj prerë: “Sigurisht që do ta mbrojmë Mbretërinë e Danimarkës. Banorët e Grenlandës nuk dëshirojnë të jenë pjesë e Shteteve të Bashkuara. Ata e kanë bërë këtë shumë të qartë”, shtoi ajo. Sondazhet e shumta të kryera në Grenlandë konfirmojnë se shumica dërrmuese e banorëve kundërshtojnë që territori i tyre të bëhet pjesë e SHBA-së.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shmangu komentet e drejtpërdrejta mbi këtë çështje, duke deklaruar para gazetarëve se “sa i përket Grenlandës dhe Danimarkës, ne kemi një proces të mirë në zhvillim”. Në janar, kur kërcënimet e Trumpit për aneksimin e Grenlandës arritën kulmin, Rutte ishte kujdesur që kjo çështje të mos përfshihej në agjendën zyrtare të NATO-s, duke preferuar një zgjidhje diplomatike mes palëve.
Për këtë arsye, konsiderohet shumë e pamundur që çështja e Grenlandës të diskutohet zyrtarisht në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC), organi kryesor vendimmarrës i NATO-s, ku Trump dhe Frederiksen do të ishin ulur në të njëjtën tryezë.
“Qasja është që kjo çështje të mos përmendet dhe samiti të përfundojë pa u përfshirë në këtë debat,” tha për Euronews një burim i njohur me zhvillimet. “Shpresoj ta anulojnë samitin e vitit të ardhshëm. Edhe dy vite të tjera me Trumpin do të ishin shumë të dëmshme për NATO-n dhe sigurinë. Aleanca po përpiqet ta qetësojë Trumpin, por kjo nuk po funksionon. Ai vetëm dëshiron të shtojë presionin dhe po bëhet gjithnjë e më i zëshëm,” shtoi burimi.
