**ATK: Faturat dhe Transaksionet me Biznese Fiktive Nuk Njihen Tatimisht**

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar të gjitha bizneset se faturat dhe transaksionet e kryera me subjekte fiktive ose joaktive nuk do të njihen për qëllime tatimore.

Këto transaksione nuk do të pranohen si shpenzime të zbritshme në Deklaratën e Tatimit në të Ardhura dhe nuk do të njihen për kreditim të zbritshëm të TVSH-së.

ATK-ja u bën thirrje bizneseve që, para se të hyjnë në çfarëdo bashkëpunimi, të verifikojnë me kujdes partnerët e tyre. Kjo do të ndihmojë në shmangien e përfshirjes në transaksione të parregullta dhe garantimin e veprimit në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në rast të identifikimit të transaksioneve të tilla fiktive, do të ndërmerren masat ligjore të përcaktuara ndaj të dyja palëve të përfshira.

Respektimi i detyrimeve tatimore është një përgjegjësi e përbashkët dhe kontribuon në ndërtimin e një ekonomie më të drejtë, më transparente dhe më të qëndrueshme për të gjithë.