Foka elefant Neil, e cila u shndërrua në sensacion të rrjeteve sociale pas aventurave të pazakonta në jug të Tasmanisë, është rikthyer në det pas disa javësh qëndrimi në breg.
Neil, një fokë elefant pesëvjeçare me peshë rreth një ton, tërhoqi vëmendjen e publikut pasi u pa duke bllokuar rrugë, rrëzuar tabela dhe pushuar nën rrezet e diellit në zona të frekuentuara nga njerëzit.
Pamjet e saj u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale dhe grumbulluan miliona shikime, duke e kthyer kafshën në një prej personazheve më të njohura të momentit në Tasmani.
Rikthimi në det ishte i pritshëm
Departamenti i Burimeve Natyrore dhe Mjedisit i Tasmanisë konfirmoi se Neil u kthye i sigurt në det.
“Neil u rikthye shëndoshë e mirë në det mbrëmjen e kaluar. Kjo është pjesë e sjelljes së saj normale dhe ishte e pritshme”, thuhet në deklaratën e autoriteteve.
Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që foka të shfaqet sërish në breg gjatë ditëve të ardhshme.
Neil del në tokë zakonisht dy herë në vit për të pushuar dhe për të ndërruar qimet, një proces normal për këtë specie.
Interesi i madh solli masa të rrepta sigurie
Për shkak të numrit të madh të vizitorëve, autoritetet u detyruan të ndërmerrnin masa të posaçme për të mbrojtur si publikun, ashtu edhe kafshën.
Njerëzve iu kërkua të qëndronin të paktën 20 metra larg Neil-it, ndërsa qentë duhej të mbaheshin në një distancë minimale prej 50 metrash.
Autoritetet paralajmëruan se ndërhyrja më ekstreme, përfshirë eutanazinë, do të konsiderohej vetëm si masë e fundit në rast se siguria publike nuk mund të garantohej.
Gjatë qëndrimit të fokës në tokë, u raportuan raste kur vizitorët iu afruan me fëmijë të vegjël për të bërë fotografi ose i lanë ushqim, sjellje që u cilësuan si të rrezikshme dhe të papërgjegjshme.
Roje sigurie dhe ndryshime në trafik
Për ta menaxhuar situatën, këshilli lokal angazhoi roje sigurie gjatë 24 orëve dhe ndryshoi përkohësisht qarkullimin në zonat ku lëvizte Neil.
Autoritetet po përllogarisin gjithashtu dëmet materiale të shkaktuara nga foka, e cila rrëzoi tabela, shtylla dhe objekte të tjera gjatë qëndrimit të saj.
Ekspertët e jetës së egër shpjeguan se kjo sjellje është normale për fokët elefant të reja, të cilat shpesh luajnë, shtyjnë objekte dhe sfidojnë njëra-tjetrën në mënyrë të ngjashme.
Një kafshë me rëndësi të veçantë për Tasmaninë
Neil lindi në jug të Tasmanisë dhe konsiderohet një nga këlyshët e parë të fokës elefant të lindur në këtë rajon, pasi popullata e kësaj specieje u dëmtua rëndë nga gjuetia në fillim të shekullit XIX.
Sot, foka elefant klasifikohet si specie e prekshme në Australi, çka e bën monitorimin dhe mbrojtjen e saj edhe më të rëndësishme.
Kryeministri i Tasmanisë, Jeremy Rockliffe, deklaroi se autoritetet do të vazhdojnë ta ndjekin lëvizjen e Neil-it.
“Tani tabelat dhe konet e trafikut të Tasmanisë mund të marrin frymë të qeta. Falënderojmë të gjithë ata që e trajtuan Neil-in me respekt dhe kujdes gjatë kohës që ishte në tokë”, tha ai. /GazetaExpress/
