**Veturë e Taxi Tesla përfshihet nga zjarri në Prishtinë, kompania reagon: S’ka të lënduar, shkaku nën hetim**

Një veturë e kompanisë Taxi Tesla është përfshirë nga zjarri sot në Prishtinë, konkretisht në Rrugën B. Incidenti, ku vetura u bë shkrumb e hi, ka mobilizuar zjarrfikësit dhe shërbimet emergjente, ndërsa kompania ka reaguar menjëherë pas ngjarjes.

Nga Taxi Tesla u konfirmua se, falë reagimit të shpejtë të shoferit dhe shërbimeve emergjente, fatmirësisht nuk ka pasur asnjë person të lënduar. Dëmet janë vetëm materiale.

Lidhur me shkakun e zjarrit, kompania thekson se sipas të dhënave paraprake, nuk ka asnjë konfirmim që incidenti ka ardhur si pasojë e një defekti të prodhimit të automjetit Tesla. Shkaku i saktë i zjarrit është duke u përcaktuar nga ekspertët kompetentë, dhe Taxi Tesla ka bërë të ditur se do të respektojë përfundimet e ekspertizës zyrtare.

Gjithashtu, kompania ka theksuar se automjeti kishte pësuar ndërhyrje dhe instalime shtesë të pajisjeve elektrike, të cilat gjithashtu do të jenë pjesë e hetimit. Për këtë arsye, sipas Taxi Tesla, nuk do të ishte e përgjegjshme të nxirren përfundime pa u përfunduar ekspertiza.

Siguria e klientëve mbetet prioritet absolut për kompaninë, e cila thekson se flota e saj i nënshtrohet kontrolleve dhe mirëmbajtjes së rregullt. Taxi Tesla do të vazhdojë të bashkëpunojë plotësisht me institucionet për të sqaruar rrethanat e këtij rasti dhe do të informojë publikun me transparencë sapo të ketë rezultate zyrtare.