Alvaro Carreras është rikthyer sërish në qendër të spekulimeve për një largim të mundshëm nga Real Madridi.

Edhe pse mbrojtësi i majtë dëshiron të vazhdojë karrierën në “Bernabeu”, “SPORT”, duke iu referuar “Bernabeu Digital”, raporton se Xabi Alonso vazhdon ta konsiderojë atë një nga objektivat kryesorë dhe mbetet i vendosur ta transferojë te Chelsea.

Trajneri spanjoll e ka identifikuar Carrerasin si një përforcim kyç që nga momenti kur mori drejtimin e klubit londinez, duke besuar se mbrojtësi përshtatet në mënyrë ideale me projektin afatgjatë në “Stamford Bridge”.

Interesimi i Xabi Alonsos për Carrerasin daton që nga emërimi i tij te Chelsea, por u intensifikua pas transferimit të Marc Cucurellas te Real Madridi.

Me Chelsean që synon të përforcojë krahun e majtë të mbrojtjes, mbrojtësi i Real Madridit ka mbetur në krye të listës së dëshirave të Alonsos prej javësh.

Megjithatë, Real Madridi i ka bërë të qartë klubit anglez se nuk është i gatshëm të dëgjojë oferta për spanjollin, ndonëse një propozim rreth 50 milionë euro mund t’i bëjë drejtuesit madrilenë të mendojnë.

Pavarësisht çmimit të lartë të mundshëm, Alonso nuk ka hequr dorë nga shpresa për ta realizuar transferimin dhe Chelsea mund të vendosë ta paguajë shumën e kërkuar nga Real Madridi.

Pas shitjes së Fran Garcias, klubi madrilen nuk duket i gatshëm të humbasë edhe Carrerasin gjatë kësaj vere.

Megjithatë, pengesa më e madhe për Chelsean mund të jetë vetë lojtari.

Carreras dëshiron të qëndrojë në Madrid, pasi iu bashkua klubit vetëm një vit më parë dhe vazhdon të besojë se mund ta fitojë vendin e titullarit.

Ish-mbrojtësi i Benficas mbërriti në “Bernabeu” me reputacionin e një prej mbrojtësve të majtë më premtues në Evropë.

Megjithatë, pas një sezoni në të cilin nuk arriti të sigurojë një vend të rregullt në formacion dhe me ardhjen e Marc Cucurellas, ai ka rënë në hierarkinë e skuadrës.

Një transferim te Chelsea do t’i ofronte mundësinë të ishte titullar i padiskutueshëm nën drejtimin e një trajneri që ka treguar vazhdimisht besim tek ai.

Nëse qëndron te Real Madridi, pritet të ketë një rol dytësor pas Cucurellas, i cili është transferuar për të qenë zgjedhja e parë në krahun e majtë të mbrojtjes./GazetaExpress/