Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit duhet të rihapet sa më shpejt dhe se Kosova dënon sulmet e Iranit, të cilat shkelin parimet e së drejtës ndërkombëtare. Këto komente ai i bëri gjatë një takimi virtual të nivelit të lartë, organizuar nga Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, ku morën pjesë mbi 40 ministra të jashtëm nga mbarë bota për të diskutuar situatën në rajonin e Ngushticës së Hormuzit.

Në takim, Konjufca theksoi qartë se liria e lundrimit është e panegociueshme dhe se korridoret ndërkombëtare tregtare nuk mund të përdoren si instrument presioni.

Ai nënvizoi se mbrojtja e anijeve civile dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare janë parime thelbësore. “Republika e Kosovës dënon fuqishëm sulmet e Iranit që i shkelin këto parime. Ne qëndrojmë në linjë me partnerët tanë në thirrjen që Ngushtica e Hormuzit të rihapet sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt,” tha ai.

Konjufca shtoi se ndërprerjet në këto rrugë ujore jetike nuk janë vetëm një çështje rajonale, por prekin drejtpërdrejt ekonomitë dhe stabilitetin e shumë vendeve, përfshirë edhe Kosovën. Këto ndikojnë në zinxhirët globalë të furnizimit, në çmimet e energjisë dhe në sigurinë ekonomike në përgjithësi. Prandaj, veprimi ndërkombëtar është thelbësor për të garantuar stabilitetin dhe funksionimin normal të këtyre korridoreve strategjike.

Në përfundim, ai theksoi se Kosova mbetet e palëkundur në mbështetje të partnerëve të saj euroatlantikë dhe atyre në Lindjen e Mesme, në mbrojtje të lirisë së lundrimit dhe sigurisë ndërkombëtare.