Mosha mesatare e deputetëve të legjislaturës së 11-të do të jetë 46 vjeç

Megjithëse data e konstituimit të Kuvendit të Kosovës ende nuk është bërë publike, drejtuesit e seancës së parë tashmë janë të ditur. Seanca inauguruese do të udhëhiqet sërish nga deputeti më i moshuar, Avni Dehari. Përkrah tij, si deputetja më e re e Kuvendit, do të jetë Fatma Taqi nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (PDTK).

Sipas një raporti të Institutit të Kosovës për Drejtësi, mosha mesatare e të 120 deputetëve të legjislaturës së 11-të është 46 vjeç. Megjithatë, përfaqësues të shoqërisë civile kanë rekomanduar që kjo mesatare të jetë më e ulët, duke theksuar se mosha mesatare e popullsisë së Kosovës është më e re. Ky informacion është raportuar nga Klankosova.

Përbërja e kësaj legjislature do të jetë me 43 gra dhe 77 burra. Një fakt tjetër i rëndësishëm është se 50 politikanë do të mbajnë për herë të parë mandatin e ligjvënësit.