Aktori i njohur Sam Neill, ylli i “Jurassic Park” dhe “Peaky Blinders”, ndahet nga jeta në moshën 78-vjeçare.

Bota e kinemasë është në zi pas humbjes së një prej ikonave të saj, aktorit Sam Neill, i cili ndërroi jetë në moshën 78-vjeçare. Neill, me origjinë nga Zelanda e Re, ishte i njohur globalisht për rolet e tij të paharrueshme në filma si “Jurassic Park”, “The Piano” dhe serialin “Peaky Blinders”.

Familja e tij bëri të ditur lajmin e hidhur përmes një deklarate të publikuar në llogarinë zyrtare të aktorit në Instagram.

Shkaku i saktë i vdekjes nuk është bërë publik. Megjithatë, aktori kishte bërë të ditur më herët betejën e tij me kancerin, pasi në vitin 2022 ishte diagnostikuar me limfomë angioimunoblastike të qelizave T në stadin e tretë, një formë e rrallë e kancerit të gjakut. Deklarata e familjes konfirmon se ai ishte pa kancer në momentin e ndarjes nga jeta.

Sipas deklaratës së familjes, Sam Neill ndërroi jetë në Sydney të Australisë, i rrethuar nga njerëzit e tij më të dashur.

“Me trishtim të thellë, familja e Sam Neill njofton vdekjen e tij. Sam ishte i rrethuar nga familja dhe u largua nga kjo jetë me dinjitetin që e karakterizoi gjithmonë. Humbja ishte e papritur, por jemi të bekuar që ai mbeti pa kancer. Falënderojmë stafin e Spitalit Privat të Shën Vincentit për kujdesin e jashtëzakonshëm dhe kërkojmë që të respektohet privatësia jonë në këtë moment të vështirë,” thuhet në deklaratë.

Pas publikimit të lajmit, kryeministri australian, Anthony Albanese, i bëri homazhe aktorit, duke vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kinemanë australiane dhe atë ndërkombëtare.

“Sam Neill luajti në shumë histori të dashura australiane dhe fitoi një vend të veçantë në zemrat e australianëve. Ai e përballoi sëmundjen me dinjitet, humor dhe forcë. Do të na mungojë shumë dhe do të kujtohet gjithmonë. U prehtë në paqe,” shkroi Albanese.

Sam Neill lindi në vitin 1947 në Omagh të Irlandës së Veriut dhe u rrit në Zelandën e Re. Ai fitoi famë ndërkombëtare me rolin e Dr. Alan Grant në filmin “Jurassic Park” të Steven Spielberg, ndërsa gjatë karrierës së tij të pasur interpretoi edhe në produksione të njohura si “The Piano”, “The Hunt for Red October”, “Event Horizon”, “The Tudors”, “Peaky Blinders” dhe “Hunt for the Wilderpeople”.

Me një karrierë që shtrihet në më shumë se pesë dekada, Neill interpretoi në mbi 150 filma dhe seriale televizive, duke u renditur ndër aktorët më të vlerësuar të brezit të tij. Për kontributin në art, ai u nderua me titullin e Kalorësit (Knight Companion) të Urdhrit të Meritarit të Zelandës së Re.

Pas vetes ai lë katër fëmijë dhe gjashtë nipër e mbesa.