Samiti i NATO-s, që do të mbahet në Shqipëri në vitin 2027, pritet të rikthejë rajonin e Ballkanit Perëndimor në qendër të vëmendjes globale, ndërsa Kosova do të jetë pjesë e diskutimeve strategjike të Aleancës Veri-Atlantike, veçanërisht në lidhje me zhvillimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse. Kështu ka vlerësuar eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për Ekonomia Online.

Sipas Shalës, Shqipëria do të përfitojë nga organizimi i këtij samiti përmes rritjes së rolit dhe prestigjit të saj brenda NATO-s, duke marrë përgjegjësi të reja në arkitekturën e sigurisë rajonale. Kjo përfshin forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe të industrisë mbrojtëse, si dhe një rol më aktiv në misionet e Aleancës në rajon, siç janë ato në Bosnjë-Hercegovinë dhe KFOR.

Nga ana tjetër, Kosova do të jetë në fokus për shkak të progresit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Shala thekson se viti 2028 shënon përmbylljen e planit dhjetëvjeçar të transformimit të FSK-së, çka e bën këtë periudhë kruciale për një vlerësim nga NATO-ja. Kosova pritet të jetë pjesë e diskutimeve në tryezën e samitit të vitit 2027, ku do të bëhet një vlerësim kadrovik, profesional dhe ushtarak i rrugëtimit të FSK-së drejt përmbushjes së objektivave të saj.

Eksperti vlerëson se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet FSK-së dhe institucioneve ushtarake të Shqipërisë, përmes avancimeve profesionale brenda Akademisë Ushtarake të Shqipërisë, po kontribuon në forcimin e kapaciteteve të Kosovës. Kjo dëshmon se kombi shqiptar, duke nisur nga viti 2027, do të jetë një qendër graviteti për zhvillimet në aspektin e sigurisë, mbrojtjes dhe diplomacisë.

Lajmi se Shqipëria do të jetë mikpritëse e Samitit të ardhshëm të NATO-s në vitin 2027 u konfirmua zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në samitin e mbajtur në Ankara, Turqi, i cili përfundoi më 8 korrik 2026. Ky do të jetë samiti i 37-të i Aleancës dhe shënon herën e parë që një ngjarje e këtij niveli të lartë politik organizohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.