Major Bujar Ferizi, oficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka diplomuar me sukses në programin prestigjioz “Lehrgang Generalstabs-Admiralstabs International (LGAI)” në Akademinë e Lidershipit të Bundeswehr-it në Hamburg, Gjermani.

Sipas njoftimit të FSK-së, programi zgjati 17 muaj, nga të cilët pesë muaj ishin për trajnim intensiv në gjuhën gjermane në Bundessprachenamt në Hürth, dhe 12 muaj për studime të thelluara. Këto studime u fokusuan në fusha kyçe si planifikimi strategjik, lidershipi ushtarak, bashkëpunimi shumëkombësh dhe siguria ndërkombëtare.

Në këtë gjeneratë morën pjesë 74 oficerë nga 36 shtete të ndryshme. Majori Ferizi përfaqësoi Republikën e Kosovës dhe FSK-në, duke kontribuar në shkëmbimin e përvojave profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

FSK-ja e ka vlerësuar këtë arritje si një sukses të rëndësishëm profesional dhe një investim të vlefshëm në zhvillimin e kapaciteteve të saj, në përputhje me standardet e vendeve partnere dhe të NATO-s.