**Ferizaj: 15 Vjedhje Të Regjistruara Në Një Javë, Policia Shton Masat Operative**
FERIZAJ – Policia Rajonale e Ferizajt ka publikuar të dhënat e javës së kaluar, nga 6 deri më 12 korrik, duke njoftuar se janë regjistruar gjithsej 15 raste të vjedhjeve. Këto statistika vijnë në kohën kur policia ka shtuar masat operative për parandalimin dhe luftimin e krimit në rajon.
Nga 15 rastet e vjedhjeve, të cilat cilësohen si vepra penale kundër pasurisë, 12 janë shënuar në territorin e Ferizajt, ndërsa 3 të tjera janë raportuar në komunën e Kaçanikut.
Gjithashtu, gjatë të njëjtës periudhë, në komunën e Kaçanikut është raportuar edhe një rast i dhunës në familje.
Në zbatim të urdhëresave të gjykatave kompetente, policia ka arrestuar 26 persona, të cilët ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale dhe kundërvajtëse.
Policia Rajonale e Ferizajt theksoi se do të vazhdojë punën dhe angazhimin për parandalimin e veprave penale, rritjen e sigurisë publike dhe zbatimin e pa kompromis të urdhëresave të institucioneve të drejtësisë.
