Hoti: Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit

Ministri në detyrë i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i është kundërpërgjigjur ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq. Kjo e fundit deklaroi se, sikur të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Hoti theksoi se kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën, por edhe dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit.

Më poshtë është reagimi i plotë i ministrit Hoti:

“Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë.

Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet.

Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi vdiq si kriminel lufte.

Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që provon.

Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik.”