**ATK paralajmëron: Deklaroni të ardhurat nga qiraja ose përballuni me gjoba dhe pasoja ligjore**

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka lëshuar një paralajmërim të fortë për të gjithë pronarët që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave. Ajo u bën thirrje atyre t’i deklarojnë këto të ardhura dhe të përmbushin detyrimet tatimore, duke theksuar se mosdeklarimi do të çojë në gjoba dhe masa ligjore.

ATK ka intensifikuar aktivitetet e saj për identifikimin e të ardhurave të padeklaruara nga qiraja, duke përfshirë edhe ato të gjeneruara përmes platformave online si Airbnb. Institucioni thekson se disponon të dhëna dhe informacione të mjaftueshme për të identifikuar personat që nuk i kanë përmbushur këto obligime.

Nëpërmjet këtij njoftimi, ATK synon të nxisë përmbushjen vullnetare të detyrimeve. Prandaj, u kërkon të gjithë personave që realizojnë të ardhura nga qiraja dhe që ende nuk i kanë deklaruar, të veprojnë sa më shpejt, duke ndjekur këta hapa:

* Të pajisen me Numër Fiskal pranë ATK-së, nëse nuk janë të regjistruar.
* Të deklarojnë të ardhurat e realizuara.
* Të paguajnë detyrimet tatimore sipas legjislacionit në fuqi.

ATK paralajmëron se në rast të mospërmbushjes vullnetare të këtyre detyrimeve, do të ndërmerren veprimet e plota ligjore, duke përfshirë:

* Regjistrimin zyrtar të tatimpaguesit, nëse plotësohen kushtet ligjore.
* Vlerësimin e detyrimeve tatimore bazuar në të dhënat që disponon ATK.
* Ngarkimin e interesave dhe gjobave të parashikuara nga ligji.
* Ndërmarrjen e masave të tjera administrative dhe ligjore.

ATK thekson përkushtimin e saj për të promovuar përmbushjen vullnetare dhe për të siguruar trajtim të barabartë për të gjithë tatimpaguesit. Për çdo informacion shtesë, pronarët mund të kontaktojnë Administratën Tatimore të Kosovës përmes kanaleve zyrtare ose të vizitojnë zyrat e saj. Përmbushja vullnetare mbetet zgjidhja më e mirë dhe më e lehtë për të shmangur problemet.