**Gjykata Speciale: Vendimi për lirimin me kusht të Thaçit i takon vetëm gjyqtarit**

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë theksuar se vendimi lidhur me kërkesën e mbrojtjes së Hashim Thaçit për lirim me kusht i takon ekskluzivisht gjyqtarit të çështjes. Kjo deklaratë vjen pas propozimit të disa garancive nga mbrojtja, përfshirë një dorëzani prej 50.000 eurosh.

Në një përgjigje për Rtv21, Gjykata Speciale theksoi se “është gjykatësi i vetëm ai që vendos për paraburgimin në përputhje me ligjin dhe rregulloren”. Gjithashtu u bë e ditur se gjyqtari do të marrë një vendim të argumentuar në kohën e duhur.

Përveç garancisë financiare, mbrojtja e ish-presidentit Thaçi ka ofruar kushte shtesë, duke përfshirë zotimin se ai nuk do të largohet nga territori i Kosovës dhe do të dorëzojë pasaportën si dhe çdo dokument tjetër udhëtimi.

Gjithashtu, Thaçi është zotuar se do të përmbahet nga çdo deklaratë publike, qoftë drejtpërdrejt ose tërthorazi, në media apo rrjetet sociale. Ai nuk do të diskutojë përmbajtjen e çështjes së tij me askënd, përveç anëtarëve të caktuar të ekipit të tij mbrojtës.