Ambasadorja Ziv: Mandati i FSK-së në Gaza dhe reagimi i Hamasit mbeten për t’u parë

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka shprehur kënaqësinë e vendit të saj për përfshirjen e Kosovës në misionin paqeruajtës në Rripin e Gazës, si pjesë e një nisme ndërkombëtare. Megjithatë, ajo theksoi se shumëçka do të varet nga reagimi i Hamasit ndaj trupave të dërguara në këtë rajon, si dhe nga përcaktimi i mandatit specifik të secilit kontingjent.

Në një intervistë për emisionin “Click” në RTV21, Ziv vuri në dukje rëndësinë e kësaj përfshirjeje. “Jemi shumë të lumtur që Presidenti Trump e ka përfshirë Kosovën në forcën paqeruajtëse. Kjo është thelbësore dhe dëshmon besimin në aftësitë e Kosovës për të qenë një partner kyç në ndërtimin e paqes në Lindjen e Mesme,” u shpreh ajo. Ambasadorja shtoi se Kosova është mes pesë vendeve që do të dërgojnë trupa dhe se mandati i tyre i saktë ende duhet të precizohet. “Mirëpresim vendimin e Qeverisë së Kosovës për këtë mision, me shpresën për një Lindje të Mesme më të mirë,” deklaroi Ziv.

Lidhur me aftësinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për të vepruar në Rripin e Gazës, ambasadorja theksoi sërish varësinë nga sjellja e Hamasit. “Është shumë herët të thuhet se si do të zhvillohet situata, pasi shumëçka do të varet nga reagimi i Hamasit ndaj forcave të ndryshme që do të hyjnë në Rripin e Gazës,” u shpreh ajo.

Ziv foli gjithashtu për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Izraelit, gjashtë vjet pas njohjes së Kosovës nga shteti izraelit. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 2021, Izraeli dhe Kosova kanë punuar për thellimin e tyre. “Krijuam baza të forta për këtë marrëdhënie dhe investuam shumë për të arritur marrëveshje të rëndësishme,” tha Ziv. Ndër arritjet kryesore, ajo përmendi marrëveshjen për lëvizjen pa viza, e cila ka ndikuar pozitivisht në tregti, shkëmbime kulturore dhe akademike, si dhe turizëm. “Kemi punuar për të zgjeruar fushat e bashkëpunimit, përfshirë akademinë, kulturën dhe kontaktet ndërmjet njerëzve,” theksoi ambasadorja.

Megjithatë, dy vjet e gjysmë të fundit kanë qenë të vështira për Izraelin, i cili është gjendur i detyruar të luftojë. Pavarësisht kësaj, Ziv siguroi se puna për forcimin e marrëdhënieve ka vazhduar dhe se do të intensifikohet më tej pas përfundimit të konfliktit, kur situata të qetësohet.